BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe SWAP për monedhat vendase, ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës
Data e publikimit: 12.09.2013
Në datën 12 shtator 2013, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, z. Zhou Xiaochuan nënshkruan një marrëveshje dypalëshe SWAP për monedhat vendase, në shumën maksimale prej 2 miliardë Yuan ose 35.8 miliardë Lek.
Marrëveshja u nënshkrua gjatë mbledhjes së XXX të Klubit të Guvernatorëve të Bankave Qendrore të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Vendeve të Ballkanit, i cili zhvillon punimet në Yerevan, Armeni, në datat 12 14 shtator 2013.
Transaksioni SWAP ofron një kanal përmes të cilit bankat qendrore mund të kenë akses në monedhën vendase të palës tjetër. Kjo marrëveshje synon nxitjen e tregtisë dypalëshe dhe të investimeve direkte për zhvillimin ekonomik, mbështetjen e stabilitetit financiar të dy vendeve, në terma të monedhave përkatëse dhe në rast se kushtet e tregut e kërkojnë një likuiditet të tillë.
Ajo është e vlefshme për një kohëzgjatje fillestare prej tre vjetësh dhe afati mund të shtyhet me pëlqimin e të dy palëve.
Guvernatori Fullani u shpreh se marrëveshja SWAP do të jetë mjaft e dobishme për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në aspektin financiar, për lehtësimin e lidhjeve ekonomike dhe të tregtisë midis Shqipërisë dhe Kinës, si dhe për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Nënshkrimi i saj është një mundësi tjetër për të përmirësuar më tej marrëdhëniet midis dy bankave qendrore.