BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Bordit të Përbashkët të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme

Data e publikimit: 07.11.2018

 

Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë zj. Natasha Ahmetaj dhe Kryetarja e Bordit të Përbashkët të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (Single Resolution Board-SRB) zj. Elke König nënshkruan marrëveshjen dypalëshe për shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin në fushën e hartimit të Planeve të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme si dhe zbatimin e këtij planifikimi në lidhje me subjektet bankare ndërkufitare që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë dhe anasjelltas.

Kjo marrëveshje forcon më tej bashkëpunimin e ngushtë midis dy autoriteteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar. Bashkëpunimi në drejtim të planifikimit dhe zbatimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme është mjaft i rëndësishëm në kuadër të natyrës globale të tregjeve financiare si dhe peshës së rëndësishme që kanë bankat me origjinë nga Bashkimi Evropian në sektorin bankar shqiptar. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është të lehtësojë ndërhyrjen e jashtëzakonshme për bankat dhe grupet bankare të pranishme në juridiksionet përkatëse.

Nënshkrimi i marrëveshjes midis Bankës së Shqipërisë me Bordin e Përbashkët të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, i cili është dhe Autoriteti Qendror i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për Bashkimin Bankar Evropian, mbështetet në nenin 70 të Ligjit nr. 133/2016 ‘’Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë’’ dhe është një arritje e rëndësishme në fushën e planifikimit të  ndërhyrjes së jashtëzakonshme në Shqipëri.