BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi organizimin e Konferencës VII Vjetore me temë “Strategjitë e Politikës Monetare për Ekonomitë e Vogla”

Data e publikimit: 04.12.2007

 

6 – 7 DHJETOR 2007
HOTEL TIRANA INTERNATIONAL, TIRANË

Në datat 6-7 dhjetor 2007, Banka e Shqipërisë do të organizojë Konferencën VII Vjetore me temë “Strategjitë e Politikës Monetare për Ekonomitë e Vogla”. Në këtë konferencë do të marrin pjesë ekspertë të bankave qendrore dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, akademikë të njohur, përfaqësues të sistemit bankar dhe të institucioneve të tjera në vend si dhe shumë personalitete të tjera të vendit dhe të huaja.

Gjatë dekadës së fundit ka pasur një ndryshim mjaft të rëndësishëm në perceptimin e asaj se çfarë strategjia e politikës monetare duhet të arrijë. Edhe pse tashmë pranohet gjerësisht se objektivi parësor i politikës monetare duhet të jetë arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve, mbetet më pak e qartë se çfarë lloji të strategjisë së politikës monetare një vend i vogël duhet të adoptojë. Në fokus të kësaj konference do të jenë pikërisht strategjitë e politikës monetare për ekonomitë e vogla, të cilat janë të detyruara “të jetojnë” nën hijen e Eurozonës, pjesë e së cilës do të bëhen në një periudhë afatgjatë. Punimet e Konferencës do të përqendrohen veçanërisht në opsionet, sfidat dhe rreziqet për të ardhmen e politikës monetare në vendin tonë.

Konferenca e këtij viti është konceptuar si një ndërthurje e konferencave tradicionale vjetore që Banka e Shqipërisë organizon çdo vit dhe e tryezave të rrumbullakëta të organizuara nga ana e saj, gjatë dy viteve të fundit mbi strategjinë dhe ardhmërinë e politikës monetare në Shqipëri. Dita e parë do t’i dedikohet përvojës ndërkombëtare mbi opsionet e politikës monetare për ekonomitë e vogla , ku ekspertët dhe akademikët do të ndajnë me të pranishmit aspektet praktike të këtyre eksperiencave. Ndërsa, ditën e dytë, stafi i Bankës së Shqipërisë do të prezantojë progresin e bërë nga institucioni gjatë vitit 2007, në lidhje me përgatitjet për adoptimin e regjimit të ri të politikës monetare në të ardhmen.

Në përfundim të kësaj konference, do të organizohet edhe ceremonia e Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë, ku Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, do t’i akordojë çmimet përkatëse studentëve që kanë paraqitur tre temat më të mira të përzgjedhura.

Programi i Konferencës