BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi panelin e tretë dhe të katërt të Konferencës "Ekonomia Shqiptare: Arritjet dhe Sfidat e Politikës Ekonomike"

Data e publikimit: 12.09.2003

 

Sot paradite në ditën e dytë të Konferencës "Ekonomia shqiptare: arritjet dhe sfidat e politikës ekonomike", organizuar nga Banka e Shqipërisë, u zhvillua paneli i tretë i konceptuar si "Ekonomiksi i tranzicionit", ku folësit dhe diskutantët u fokusuan në prioritetet e sigurimit të një rritje të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare, përmasat, rolin dhe ndikimet e sektorit publik dhe atë të politikës monetare në ekonominë vendase, alternativat ndërmjet regjimeve të ndryshme të politikës monetare dhe disa eksperienca të vendeve të ndryshme të rajonit.

"Shqiperia drejt një rritje të qëndrueshme ekonomike", ishte tema e Geoff Nichols, drejtues i projektit të Bankës Botërore dhe Ministrisë së Financave "Konsultimet për forcimin e kapaciteteve makroekonomike dhe fiskale në Shqiperi" dhe znj. Luiza Jano, Shefe e Departamentit Makro në Ministrinë e Financave. Sipas autorëve, "duke pare normën e rritjes ekonomike në vitet e fundit në Shqipëri duket se është shumë e lartë por si përqindje e rritjes ekonomike ende në trazicion është më modeste. Pjesa kryesore e rritjes ekonomike është mbuluar nga rënia në ciklin ekonomik. Por, krahasuar me vendet e tjera me standarte të krahasueshme, ekonomia shqiptare mbetet ende "e brishtë". Nga analiza që autorët i kanë bërë ekonomisë shqiptare rezultoi se Shqipëria ka bërë hapa përpara në procesin e integrimit dhe politikat mbështetëse por ka ende probleme në marrëdhëniet ndërinstitucionale.

Më pas, dekani i Fakultetit Ekonomik, z.Dhori Kule mbajti diskutimin mbi përmasat e sektorit publik në Shqipëri duke parë në vija të përgjithshme rolin e shtetit në një këndvështrim teorik. Diskutimi trajton faktorët që e bëjnë të domosdoshëm ndikimin e sektorit publik në ekonomi. Tema paraqiti në detaje se si politikat ekonomike të jetës së përditshme mund të ndikojnë në reagimin negativ të tregut. Autorët theksuan rritjen e rolit të shtetit në ekonomi si rregullator.

"Kur përfundon trazicioni. Teoria kundrejt realitetit në rastin e Shqipërisë", ishte tema e diskutimit të zv.kryeministres dhe ministres së Shtetit për Integrimin Evropian, znj.Ermelinda Meksi. Referuesit vlerësuan procesin e integrimit por diskutuan më në brëndësi nivelin e reformave ekonomike dhe institucionale dhe sfidat që i presin ato e në mënyrë të veçantë problemet me të drejtën e pronësisë, zhvillimin e sektorit privat si dhe të atij financiar.

Tema u shoqërua me shumë debate dhe komente lidhur me procesin e integrimit, afatet dhe efektet konkrete të procesit te integrimit, zhvillimet në sektorin financiar dhe atë bankar etj.

Në sesionin e katërt dhe të fundit, të titulluar "Politika Monetare në vendet e rajonit" u zhvilluan një sërë analizash krahasuse mbi rolin e politikës monetare, inflacionin dhe normën e këmbimit në ekonomitë e vendeve si Shqipëria, Greqia, Turqia dhe Bosnje-Hercegovina. Referuesit konkluduan se pas arritjes së stabilitetit makroekonomik në Shqipëri, është përmirësuar klima për rritjen e eficensës dhe rolit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, shumë vende në tranzicion kanë hasur vështirësi në arritjen e stabilitetit makroekonomik.

Konferenca i mbylli punimet me mbajtjen e konkluzioneve nga ana e dekanit të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës z.Dhori Kule, ndërsa më pas Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani iu përgjigj pyetjeve të gazetareve të pranishëm.