BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi përfundimin e Implementimit të Sistemit të Kryqëzimit të Pagesave me Vlerë të Vogël - AECH

Data e publikimit: 22.07.2005

 

Sot më datë 22 korrik 2005, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u zhvillua një takim përshëndetës me rastin e përfundimit të Implementimit të Sistemit të Kryqëzimit të Pagesave më Vlerë të Vogël (Albanian Electronic Clearing House AECH). Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të Bankës së Shqipërisë dhe përfaqësues dhe specialistë të Bankave të Nivelit të Dytë. Fjala e rastit u mbajt nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani. Gjithashtu gjatë takimit u bë edhe shpërndarja e çertifikatave të pjesëmarrësve në këtë sistem.

Projekti për ndërtimin e Sistemit të Kryqëzimit të Pagesave me Vlerë të Vogël (AECH) është i dyti në rradhë pas projektit për Sistemin e Pagesave Ndërbankare (AIPS). Projekti AECH synon automatizimin e shërbimit të kleringut, që Banka e Shqipërisë u ofron bankave të nivelit të dytë për përpunimin e pagesave të klientëve të tyre. Projekti për implementimin e këtij sistemi ka filluar që një vit më parë, ndërsa në datën 8 Korrik 2005 ky sistem ka filluar operimin "live".

Zbatimi i këtij sistemi, i realizuar me investime të teknologjisë bashkëkohore, do të sjellë përfitime të ndjeshme për sistemin kombëtar të pagesave në drejtim të rritjes së shpejtësisë, uljes së kostove, dhe rritjes e sigurisë në përpunimin e tyre. Gjithashtu përdorimi i këtij sistemi do të ketë një impakt të konsiderueshëm në reduktimin e ekonomisë informale, si dhe do të ndikojë në rritjen e popullaritetit të pagesave bankare, duke i ofruar klientëve të bankave një shërbim më cilësor.

Bankat e nivelit të dytë pjesëmarrëse në këtë sistem janë:

  1. Banka Raiffeisen
  2. Banka Kombëtare Tregtare
  3. Banka Tirana
  4. Banka Italo-Shqiptare
  5. Banka e Bashkuar e Shqipërisë
  6. Banka Kombëtare Greke
  7. Banka Alpha
  8. Banka Amerikane e Shqipërisë
  9. Banka ProCredit
  10. Banka e Parë e Investimeve
  11. Banka e Kreditit të Shqipërisë
  12. Banka Credins
  13. Banka Popullore
  14. Banka Emporiki