BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit Sejko në Forumin e 21-të të Evropës Qendrore dhe Lindore

Data e publikimit: 20.01.2016

 

Në datat 19-20 janar 2016, “Euromoney” organizoi Forumin 21-të të Evropës Qendrore dhe Lindore në Vjenë, Austri. Ky forum i përvitshëm mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi figura të rëndësishme të politikës, ekonomisë si dhe përfaqësues nga fusha e financës e Evropës Qendrore dhe Lindore.

img 1239 copy 1 7969 0

Punimet e këtij forumi ishin konceptuar të ndara në disa panele, ku të pranishmit diskutuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare. Me rëndësi të veçantë ishte paneli i guvernatorëve të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, me temë “Debati i Politikës Monetare”.

img 1241 copy 1 7970 0

Në këtë panel merrte pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i cili diskutoi mbi efektet që ka në ekonomitë e këtyre vendeve politika monetare e ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane dhe ajo e Rezervës Federale. Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko theksoi se politika monetare ekspansioniste e ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane ka pasur efekte pozitive kryesisht në rritjen e kërkesës për eksporte nga këto vende si dhe në norma më të ulëta interesi për euron, duke krijuar kështu më shumë mundësi veprimi për ekonomitë e këtyre vendeve.

Duke u ndalur në efektet e kësaj politike në ekonominë shqiptare, Guvernatori Sejko theksoi se një pjesë e konsiderueshme e portofolit të kredisë është në monedhën evropiane dhe ulja e interesave për euron do të thotë më pak stres për ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar.

Për sa i përket efekteve të politikës shtrënguese monetare të ndjekur nga Banka e Rezervës Federale, Guvernatori u shpreh se me përjashtim të çmimit të naftës këto politika nuk pritet të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm në ekonominë shqiptare.

Në mbyllje të diskutimit, ai theksoi se sfida kryesore e Bankës së Shqipërisë për politikën monetare dhe ekonominë është krijimi i kushteve të favorshme për të nxitur procesin e kredidhënies në vend.

Këtë vit, gjatë punimeve të këtij forumi, një vend të veçantë kishte dhe tryeza kushtuar Shqipërisë. I ftuar në këtë tryezë, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të zhvillimeve më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Ai theksoi rëndësinë e investimeve të huaja direkte në zhvillimin ekonomik të vendit. Duke u ndalur në zhvillimet në sektorin bankar shqiptar, Guvernatori u shpreh se treguesit financiarë tregojnë për një sistem bankar të shëndetshëm, të aftë të përballojë çdo goditje, si dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit. Ai i njohu të pranishmit me planin ndërinstitucional të Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë për uljen e nivelit të kredive me probleme. Si rrjedhojë e këtyre masave pritet një rënie e mëtejshme e nivelit të kredive me probleme dhe nxitje e kreditimit.

Gjatë qëndrimit të tij në Vjenë, Guvernatori Sejko zhvilloi një takim me zyrtarë të lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me z. Phil Bennet - Zëvendëspresident i Parë, si dhe z. Nick Tesseymen - Drejtor Menaxhimi për Institucionet Financiare, ku vlerësoi kontributin e rëndësishëm dhe mbështetjen që BERZH-i ka dhënë në zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet investimeve financiare në fushat kyçe të ekonomisë dhe asistencës teknike të ofruar Bankës së Shqipërisë. Në përfundim të këtij takimi, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e zhvillimit të tregjeve kapitale në Shqipëri, për zhvillimin e të cilave nevojitet ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë. Zhvillimi i këtyre tregjeve do të ndikonte ndjeshëm në financimin e bizneseve që operojnë në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Guvernatori zhvilloi dhe një takim me z. Peter Tils - Drejtor për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në Deutsche Bank, si dhe Dr. Dagmar Linder - Drejtore Menaxhimi, në Drejtorinë Rajonale për Evropën Qendrore dhe Lindore.