BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit Sejko në Forumin për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të organizuar nga ”Euromoney”

Data e publikimit: 14.01.2021

 

Në datat 12-14 janar 2021, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mori pjesë në punimet e Forumit për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) – një organizim i përvitshëm i "Euromoney" që mbledh së bashku figura të njohura të fushës politike, ekonomike e financiare nga vendet e EQL-së - për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e Evropës dhe më gjerë. Këtë vit, kushtëzuar nga pandemia COVID-19, punimet e forumit u zhvilluan në format virtual.

Guvernatori Sejko ishte i ftuar të mbante një prezantim në panelin kushtuar politikës monetare, së bashku me homologë të bankave qendrore si zj. Anita Angelovska Bezhoska, Guvernatore e Bankës Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, z. Koba Gvenetadze, Guvernator i Bankës Kombëtare të Gjeorgjisë, z. Kyrylo Shevchenko, Guvernator i Bankës Kombëtare të Ukrainës, si dhe z. Boštjan Vasle, Guvernator i Bankës së Sllovenisë.

498 DLL 7003

Ky panel u parapri nga fjala përshëndetëse e z. Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit Evropian të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe gjatë tij Guvernatorët diskutuan mbi rolin e rëndësishëm të bankave qendrore dhe përgjigjet e tyre ndaj situatës së krijuar nga pandemia, mbështetjen që këto institucione kanë dhënë për kapërcimin e sfidave ekonomike të vendeve përkatëse gjatë kësaj periudhe, si dhe strategjitë e politikëbërjes për të siguruar dhe mbështetur rikthimin e rritjes ekonomike në vitet në vijim.

Gjatë ndërhyrjeve të tij, Guvernatori Sejko diskutoi mbi zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe ndikimet e pandemisë. Ai theksoi se masat e marra gjatë kësaj periudhe nga Banka e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare kishin në fokus mbrojtjen e biznesit, familjeve dhe sistemit financiar nga efektet negative të krizës, duke pasur si qëllim shmangien e kthimit të kësaj goditjeje të pashmangshme afatshkutër në një krizë afatgjatë. Falë kontributit të Bankës së Shqipërisë dhe politikave të mirëkoordinuara makroekonomike, kjo u arrit me sukses, si dhe pritet që aktiviteti ekonomik të vijë në përmirësim gjatë vitit të sapo nisur, pas rënies së fortë të shënuar në vitin 2020.

498 DLL 7030

Guvernatori shtoi se kriza aktuale globale e krijuar nga pandemia është e ndryshme në shumë aspekte nga kriza globale e vitit 2008. Së pari, pasojat ekonomike erdhën si rezultat i kufizimeve të vendosura dhe jo i një flluske që shpërthen, duke shkaktuar një krizë të madhe si ajo e 2008. Së dyti, ndikimet negative pritet të jenë të një natyre më afatshkurtër dhe kthimi duhet të jetë i shpejtë, nëse falë vaksinimit, situata do të shkojë drejt normalizimit. Së fundmi, politika publike ka qenë e natyrës së drejtpërdrejtë, duke ndërhyrë për të kompensuar financiarisht bizneset dhe familjet për të ardhurat e humbura, me një seri mjetesh të ngjashme me ato të krizës së mëparshme. Si e tillë, ndërhyrja e politikave kishte një efekt të drejtpërdrejtë pozitiv dhe pritet të parandalojë ndërtimin e dobësive afatgjata në sektorin privat.

498 DLL 7033

Duke u ndalur më konkretisht në masat e marra nga Banka e Shqipërisë, në përgjigje të situatës së krijuar, Guvernatori përmendi uljen e normës bazë të interesit dhe shtimin e injektimeve të likuiditetit; lehtësimin rregullator të përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe të ristrukturimit të kredive; pezullimin e pagesave të dividentit në sektorin bankar; si dhe heqjen e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet tona të pagesave.

Më tej, Guvernatori theksoi se sektori bankar ka dhënë gjithashtu një kontribut mjaft pozitiv në përballimin e krizës. Ky sektor iu përgjigj pozitivisht dhe në mënyrë aktive vendimit për shtyrjen e pagimit të kësteve të kredisë për kategori të caktuara huamarrësish dhe ristrukturimit të kredive për kategori të tjera, e cila ka zhvendosur një pjesë të barrës financiare të krizës në bilancet e këtij sektori. Ndërkohë, rritja e kreditimit ka vazhduar, duke ndihmuar kështu me likuiditet bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme, si dhe mbështetur vijimin e investimeve.

498DLL 7040

Përsa i përket ndikimit në sjelljen e konsumatorëve, Guvernatori theksoi se kriza nga pandemia ka stimuluar inovacione të mëdha dixhitale dhe financiare, në përgjigje të masave të distancimit social, regjimeve të punës nga shtëpia dhe ndryshimit të sjelljes së konsumatorit. Në këtë drejtim, vihet re një rritje e kërkesës për përdorimin e instrumenteve elektronike, kërkesë e cila është akomoduar më së miri nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet përmirësimeve infrastukturore të sistemeve të saj, uljes së kostos së përdorimit të këtyre sistemeve dhe miratimit të Ligjit për Shërbimin e Pagesave.

Në përfundim, Guvernatori nënvizoi se në fokus të punës së Bankës së Shqipërisë mbetet ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar në vend. Në një perspektivë afatmesme e afatgjatë, me zbutjen e efekteve negative të pandemisë, pritet që agjenda e politikave ekomomike dhe e reformave strukturore në vend të kthehet në qëllimet e saj strategjike të para krizës, me qëllim rikthimin e rritjes ekonomike.