BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit Sejko në Mbledhjen e Grupit Këshillimor dhe në Mbledhjet Vjetore të Fondit Evropian për Evropën Juglindore

Data e publikimit: 20.11.2015

 

Në datat 18-19 nëntor 2015, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko mori pjesë në Mbledhjen e Grupit Këshillimor dhe në Mbledhjet Vjetore të Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE), në Berlin, Gjermani.

Këtë vit, Mbledhjet Vjetore përkuan dhe me 10-vjetorin e themelimit të EFSE-s, dhe me këtë rast u organizua konferenca me temë “Balancimi i së ardhmes”, ku merrnin pjesë guvernatorë dhe drejtues të lartë bankash qendrore, përfaqësues nga Fondi Evropian për Evropën Juglindore, përfaqësues nga Banka KfW, përfaqësues nga Ministria e Financave të Gjermanisë, drejtues bankash dhe institucionesh mikrofinanciare, përfaqësues nga bota e biznesit dhe asaj të medias.

.advisory group comp_copy_1.

Mbledhja e Grupit Këshillimor të EFSE-s, është një takim vjetor ku drejtuesit e EFSE-s, guvernatorët, përfaqësuesit e KFW dhe drejtues të tjerë nga gjithë zinxhiri i institucioneve të lidhura, diskutojnë në lidhje me veprimtarinë e Fondit në të ardhmen. Guvernatori Sejko, duke u ndalur në rolin e rëndësishëm që luajnë ndërmarrjet e mesme dhe të vogla në këto ekonomi, u shpreh se mbetet me rëndësi rivitalizimi i këtij sektori të rëndësishëm, mbështetja financiare e të cilit është prekur nga kriza e zgjatur globale.

Guvernatori Sejko vlerësoi se është e nevojshme të rritet fuqia absorbuese e fondeve të EFSE-s nëpërmjet shtimit numerik të institucioneve partnere në Shqipëri. Në këtë drejtim, ai garantoi të pranishmit se Banka e Shqipërisë, do të marrë të gjithë masat e duhura për të nxitur institucionet financiare (për tu bërë institucione partnere) të licencuara prej saj që të jenë më aktive në këtë drejtim si dhe të rrisin bashkëpunimin me EFSE-n.

Info rreth Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE)

Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) ka për qëllim të forcojë zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik në Evropën Juglindore dhe në Rajonin Fqinj Lindor të Evropës, ku përfshihen Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika e Maqedonisë, Gjeorgjia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Turqia dhe Ukraina. Fondi jep financim afatgjatë, kryesisht për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla (NMV-të) dhe individë e familje për përmirësimin e kushteve të banimit, nëpërmjet institucioneve partnere huadhënëse vendase. ESFE u krijua më 15 dhjetor 2005 nga Kfw Entwicklungsbank (Banka Gjermane e Zhvillimit) nga katër programe shumëpalëshe donatore të administruar prej saj. Fondi është partneriteti i parë publik-privat i këtij lloji dhe administrohet në mënyrë private për financimin e zhvillimit, i cili ka për qëllim të rrisë kapitalin privat për financimin e NMV-ve në rajonin e përzgjedhur.