BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, në Forumin e 18-të të Evropës Juglindore

Data e publikimit: 21.01.2013

 

Në datat 15-16 janar 2013, “Euromoney” organizoi Forumin e 18-të të Evropës Juglindore në Vjenë, Austri. Ky forum zhvillohet çdo vit dhe mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi figura të njohura të politikës, ekonomisë si dhe përfaqësues nga fusha e financës e Evropës Juglindore.  

Forumi ishte konceptuar në formën e paneleve ku të pranishmit diskutuan mbi çështjet aktuale ekonomike dhe financiare. Me rëndësi të veçantë ishte dhe paneli i Guvernatorëve të vendeve të Evropës Juglindore. Në këtë panel merrte pjesë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, i cili diskutoi mbi efektet e krizës së Eurozonës në vendet e Evropës Juglindore, masat e  ndërmarra nga institucionet përkatëse për zbutjen e këtyre efekteve, si dhe sfidat e ekonomisë  në të ardhmen.

Gjatë diskutimit, Guvernatori Fullani, ka bërë një pasqyrë të zhvillimeve më të fundit ekonomike e financiare në vend, duke theksuar se efektet e krizës janë të pranishme në ekonomi. Në këtë kuadër Guvernatori Fullani i cilësoi si mjaft të rëndësishme masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe rolin e saj në garantimin dhe ruajtjen e stabilitetin financiar në vend. Në mbyllje të punimeve të panelit, Guvernatori theksoi se sfida kryesore për politikën monetare dhe për ekonominë është rritja e nivelit të kreditimit.