BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në mbledhjet vjetore të Fondit Evropian për Evropën Juglindore

Data e publikimit: 13.06.2013

 

Në datat 5-7 qershor 2013, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani mori pjesë në mbledhjet vjetore të Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE), mbajtur në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë. Në këtë aktivitet merrnin pjesë guvernatorë të bankave qendrore, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, akademikë, investitorë privatë etj.

Gjatë ditës së parë, Guvernatori Fullani mori pjesë në Mbledhjen e Grupit Këshillimor të EFSE, ku të pranishmit diskutuan mbi zhvillimet në ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore, kryesisht për sistemin bankar dhe rolin e rëndësishëm të Fondit në zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal.

Ndërsa në ditën e dytë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, mori pjesë në Konferencën “Strong partners-strong impact”. Gjatë diskutimeve pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e lidhjes që ekziston ndërmjet institucioneve të forta financiare dhe ndikimit që ato kanë tek klientët e tyre.

Gjatë diskutimit të tij në panelin e Guvernatorëve, z. Fullani u shpreh për nevojën e pasjes së institucioneve financiare të mirëkapitalizuara dhe likuide, si parakusht për përballimin e efekteve të krizës ndërkombëtare dhe për ruajtjen e kontributit të tyre në ndërmjetësimin financiar. Ai gjithashtu prezantoi veprimet e Bankës së Shqipërisë me natyre ligjore, prudenciale dhe monetare, që synojnë të adresojnë problemin e rënies së cilësisë së aktiveve të sektorit bankar në kushtet e ngadalësimit të rritjes ekonomike. Z. Fullani ritheksoi nevojën për ndërmarrjen e reformave të shpejta strukturore në ekonomi, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të tregut financiar, krijimin e politikave publike mbështetëse për sektorët e ekonomisë me potencial të rëndësishëm zhvillimi dhe përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit. Aktualisht, objektivi kryesor duhet të jetë rigjallërimi i rritjes ekonomike, duke ruajtur qëndrueshmërinë e treguesve makroekonomikë dhe financiarë.

I krijuar në 15 dhjetor 2005, Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) ka për qëllim të forcojë zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik në Evropën Juglindore dhe në rajonin fqinj lindor të Evropës, ku përfshihen Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika e Maqedonisë, Gjeorgjia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Turqia dhe Ukraina.