BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në samitin e ministrave të financave dhe guvernatorëve të Evropës Juglindore “E ardhmja financiare e rajonit”

Data e publikimit: 16.06.2014

 

Në datën 13 qershor 2014, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mori pjesë në samitin vjetor të ministrave të financave dhe guvernatorëve të Evropës Juglindore, mbajtur në Becic, Mal i Zi.

Samiti i këtij viti me temë “E ardhmja financiare e rajonit” trajtoi zhvillimet më të fundit në ekonomitë e rajonit si dhe hapat që duhen ndërmarrë për të garantuar një rritje ekonomike të qëndrueshme.

Paneli i Ministrave të Financave, me pjesëmarrës ministrat e financave të Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë, dhe zëvendësministrat e Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë diskutoi ndikimin e tendencave botërore në financat publike të rajonit.

Ndërsa, Paneli i Guvernatorëve u përqendrua mbi rolin e politikës monetare dhe rreziqet sistemike në sektorin bankar. Pjesëmarrës në këtë panel ishin guvernatorët e bankave qendrore të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, e Shqipërisë, zëvendësguvernatorët e bankave qendrore të Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Serbisë e Sllovenisë si dhe një përfaqësues i Grupit Asseco të Evropës Juglindore.

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë panel, Guvernatori Fullani u shpreh se bankat qendrore nuk duhet të humbasin fokusin nga objektivi i tyre parësor, ruajtja e stabilitetit të çmimeve, si një parakusht për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit në afat të gjatë. “... Ne duhet të jemi shumë të qartë për stabilitetin e çmimeve si objektivi jonë kryesor i politikës monetare. Vetëm kështu, ne mund të ruajmë besimin e publikut për inflacionin dhe institucionin e bankës qendrore”.

Më tej, Guvernatori theksoi se kriza financiare e vitit 2007 nxori në pah nevojën e përforcimit të objektivit të stabilitetit financiar si një rol plotësues i bankës qendrore. Ashtu si shumë banka të tjera, edhe Banka e Shqipërisë rriti përpjekjet për të zhvilluar kuadrin e mbikëqyrjes makroprudenciale, duke qenë se mikroprudenca tregoi se ishte e pamjaftueshme për të identifikuar në kohë dhe për të adresuar rreziqet sistemike. Puna e Bankës së Shqipërisë u përqendrua në dy drejtime: së pari identifikimin e objektivave dhe mjeteve dhe së dyti përcaktimin e kuadrit ligjor dhe institucional. “... Axhenda e ardhshme për institucionet shqiptare është përcaktuar nga Programi FSAP, i cili përfundoi në fund të vitit 2013. Ne duhet të punojmë për përmirësimin e menaxhimit të rrezikut në sektorin financiar, për përforcimin e infrastrukturës së rrjetës së sigurisë financiare dhe për sigurimin e konsolidimit fiskal në afat të mesëm”.

Në përfundim, Guvernatori u ndal edhe mbi efektet e marrëdhënies midis Bashkimit Evropian dhe vendeve joanëtare të tij, duke vlerësuar se është e nevojshme të maten mirë efektet e kësaj marrëdhënieje me qëllim që reformat përkatëse të jenë të drejta dhe të qëndrueshme për rajonin. “Është e rëndësishme të vendosim një nivel domethënës komunikimi dhe koordinimi midis bankave qendrore në rajon dhe institucioneve të Bashkimit Evropian në lidhje me këtë kuadër ligjor dhe rregullativ. Mund të jetë me vlerë që edhe Bashkimi Evropian të konsiderojë të ketë gati mjetet financiare për të kundërvepruar ndaj efekteve negative në ekonomitë e rajonit”.