BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në takimin e dytë rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore “Përfshirja dhe edukimi financiar për fëmijët dhe të rinjtë”

Data e publikimit: 08.11.2013

 

Në datat 4-5 nëntor 2013, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mori pjesë në takimin e dytë rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore “Përfshirja dhe edukimi financiar për fëmijët dhe të rinjtë”. Takimi u organizua nga Banka Qendrore Evropiane në bashkëpunim me Child&Youth Finance International (CYFI), në Frankfurt, Gjermani.

Përfaqësues nga ministritë e arsimit dhe të financave, nga bankat qendrore, organizata të të drejtave të fëmijëve, institucione financiare, akademikë si dhe personalitete të tjerë të vendeve të Evropës dhe Azisë Qendrore, nënvizuan rëndësinë e bashkërendimit të politikave për përfshirjen dhe  edukimin financiar të fëmijëve dhe të rinjve në nivel rajonal. Ky takim dyditor shërbeu si platformë për shkëmbimin e risive dhe praktikave më të mira, me qëllim hartimin e një planveprimi për adresimin e sfidave të përbashkëta.

Me ftesë të organizatorëve, Guvernatori Fullani mbajti fjalën e rastit, ku theksoi rolin e rëndësishëm që luan në ekonominë e një vendi, krijimi i një kulture financiare për të rinjtë, kjo pasi një brez i miredukuar është i aftë të marrë vendime më të përgjegjshme. Në këtë kuadër, Guvernatori Fullani u shpreh se Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë projektesh të rëndësishme në këtë drejtim, ku veçoi përfshirjen me sukses të modulit me zgjedhje të lirë “Financat personale në duart tuaja” në kurrikulat e arsimit të mesëm, në vitin 2011, si dhe prezantimin e paketës mësimore “1, 2, 3… derrkuci Çufo mëson të kursejë” për fëmijët e shkollave 9-vjeçare. Në vitet në vijim, Banka e Shqipërisë është e angazhuar të përgatisë programe të tjera edukative të dedikuara për nxënësit e të gjitha niveleve.

Punimet e këtij aktiviteti u përshëndetën edhe nga Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, z. Mario Draghi dhe nga Zëvendëspresidenti z. Vítor Constâncio, të cilët garantuan rolin e Bankës Qendrore Evropiane në sigurimin e plotësimit të objektivit të përfshirjes financiare të të rinjve evropianë dhe angazhimin e drejtpërdrejtë ndaj kësaj çështjeje.