BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në takimin e nivelit të lartë: “Një mundësi për ndryshim: Financa për të rinjtë dhe fëmijët dhe axhenda pas vitit 2015”

Data e publikimit: 02.06.2014

 

Në datën 23 maj 2014, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mori pjesë në takimin e nivelit të lartë me temë: “Një mundësi për ndryshim: Financa për të rinjtë dhe fëmijët dhe axhenda pas vitit 2015” (A chance for change: Child and youth finance and the post 2015 agenda). Takimi u organizua nga Child&Youth Finance International (CYFI) në bashkëpunim me United Nations Capital Development Fund (UNCDF), në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takimin ku merrnin pjesë titullarë dhe përfaqësues të lartë nga bankat qendrore, ministritë e arsimit dhe të financave, organizata të të drejtave të fëmijëve, institucione financiare, nga rreth 90 vende, u diskutua mbi rëndësinë e edukimit financiar të të rinjve si dhe hapat konkretë që do të hidhen në vitet në vijim. Qëllimi kryesor i takimit ishte që përfshirja financiare dhe sociale e të rinjve të bëhet pjesë e axhendës së zhvillimit ekonomik, si dhe që t’i mundësojë çdo të riu një jetesë dinjitoze në të ardhmen, qoftë nëpërmjet punësimit apo sipërmarrjes. Pjesëmarrës në këtë takim, të rinjtë paraqitën idetë e tyre mbi axhendën që do të ndiqet në fushën e edukimit financiar pas vitit 2015.

Me ftesë të organizatorëve, Guvernatori Fullani mbajti një fjalë për të pranishmit ku theksoi se edukimi financiar i të rinjve është një proces me vlerë të madhe për ekonominë e vendit. Në këtë drejtim, ai theksoi: “Madje, unë do të shkoja më tej dhe do ta vendosja edukimin financiar në të njëjtin nivel me ekonominë e tregut të lirë dhe cilësinë e institucioneve, si një prej elementeve kyç për rritjen ekonomike afatgjatë dhe prosperitetin e përbashkët”.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori veçoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në këtë drejtim, si përfshirjen e modulit me zgjedhje të lirë “Financat personale në duart tuaja” në kurrikulat e arsimit të mesëm, në vitin 2011, dhe prezantimin e paketës mësimore “1, 2, 3... derrkuci Çufo mëson të kursejë”, për fëmijët e shkollave 9-vjeçare, në vitin 2013.