BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në Forumin për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore të organizuar nga "Euromoney"

Data e publikimit: 18.01.2018

 

Në datat 16-17 janar 2018, "Euromoney" organizoi Forumin për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në Vjenë, Austri. Ky forum zhvillohet çdo vit dhe mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi personalitete të njohura ndërkombëtare nga fusha politike, ekonomike e financiare nga vendet e EQL-së.

Punimet e këtij forumi dyditor ishin konceptuar në formën e paneleve me tema specifike, ku të pranishmit ishin të ftuar të diskutonin mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e Evropës dhe më gjerë. Një rëndësi të veçantë në këtë organizim kishin paneli i dedikuar Shqipërisë dhe ai i bankave qendrore.

 489 dsc33587 10102 0

Pjesë e tryezës së dedikuar vendit tonë ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, Zëvendësministri i Financave dhe i Ekonomisë, z. Erjon Luçi, Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Kombëtare Tregtare, z. Seyhan Pencabligil dhe Drejtorja e Përgjithshme e Finance in Motion, zj. Elvira Lefting. Ky panel trajtoi tema të rëndësishme të lidhura me politikën fiskale dhe ndikimin e saj në rritjen ekonomike të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Gjatë zhvillimit të panelit në fjalë, Guvernatori Sejko bëri një panoramë të zhvillimeve më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe i njohu të pranishmit me sfidat kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, në kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike dhe përmirësimin e klimës së biznesit, për tërheqjen e investime të huaja në Shqipëri.

Në ndërhyrjen e tij, Guvernatori Sejko vuri në dukje tre mesazhe kryesore. Së pari, ekonomia shqiptare po forcohet dhe perspektivat e saj të rritjes janë pozitive, kjo dhe në sajë të kuadrit të kujdesshëm të politikave makroekonomike dhe të angazhimit serioz të autoriteteve për vazhdimin e reformave strukturore. Së dyti, ai theksoi se sistemi financiar shqiptar është i shëndetshëm dhe parametrat kryesorë të operimit të tij janë drejt përmirësimit. Megjithatë, ky sistem duhet të jetë më realist e largpamës në nxitjen e kreditimit dhe më ambicioz në zhvillimin e segmenteve të reja të tregut financiar. Së fundi, duke theksuar perspektivën pozitive të rritjes ekonomike, duke evidentuar avantazhet konkurruese që ofron Shqipëria në terma të pasurive natyrore, të pozicionit të favorshëm gjeografik, si dhe stabilitetin në rritje që ofron procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Guvernatori Sejko u bëri thirrje të pranishmëve të rritnin vëmendjen e tyre ndaj Shqipërisë si një destinacion i përshtatshëm biznesi dhe investimi.

1917 3 3
1917 3 4

Në ditën e dytë të Forumit u mbajt paneli i Guvernatorëve të Evropës Juglindore, i moderuar nga z. Richard Kemmish, Këshilltar i Euromoney Conferences. Folës kryesor i këtij Forumi ishte z. Ewald Nowotny, Guvernator i Bankës Kombëtare të Austrisë dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane.

Në këtë panel, pjesë e të cilit ishte dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ishin të pranishëm gjithashtu: Guvernatori i Bankës Kombëtare të Kroacisë, z. Boris Vujèiæ; anëtari i Bordit Drejtues të Bankës Kombëtare të Çekisë, z. Vojtìch Benda, Zëvendësguvernatori i Bankës Kombëtare të Rumanisë, z. Liviu Voinea.

Pjesëmarrësit diskutuan tema të rëndësishme lidhur me ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore, si dhe trajtuan më në veçanti çështje të bankës qendrore si: efektet e politikës monetare, stabiliteti financiar, inflacioni dhe normat e interesit, monedha virtuale etj.

1917 3 3
1917 3 4

Në diskutimin e tij, Guvernatori Sejko u fokusua në efektet që ka në ekonomitë e vendeve të EQL-së, politika monetare e ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane dhe ajo e Rezervës Federale. Në këtë kuadër, ai theksoi se normalizimi i pritur i politikës monetare nga bankat kryesore qendrore në botë nuk pritet të ketë ndikime negative në ekonominë dhe financat shqiptare. Sipas tij, kuadri mbikëqyrës dhe rregullator i sistemit financiar shqiptar janë përmirësuar ndjeshëm, aftësia e tij për të përballuar goditje është rritur, ndërkohë që niveli i likuiditetit në të është më se i mjaftueshëm për të mbështetur nevojat e rritjes së vendit. Gjithsesi, ai theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në monitorimin e lëvizjeve të politikës monetare nga institucionet simotra, dhe në vlerësimin e ndikimit të tyre në Shqipëri.

Po ashtu, në kuadër të diskutimeve të këtij paneli, Guvernatori Sejko shprehu opinionet e tij mbi arsyet e nivelit të ulët të inflacionit, duke shprehur besimin e tij se, pavarësisht goditjeve dhe përmasave të sfidës me të cilën përballen, bankat qendrore disponojnë aparatin e duhur teorik dhe instrumentet e mjaftueshme operacionale për të përmbushur objektivat e tyre të inflacionit. Në këtë kuadër, ai bëri një ekspoze të masave dhe të rezultateve të politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, duke theksuar rolin pozitiv që ka pasur kursi lehtësues i politikës monetare në nxitjen e rritjes ekonomike, në krijimin e parakushteve për kthimin e ekonomisë në ekuilibër, si dhe në ruajtjen dhe fuqizimin e stabilitetit financiar.

 498 dsc3890 2 10093 0

Në mbyllje, Guvernatori Sejko u shpreh edhe në lidhje me rolin dhe implikimet që ka inovacioni i vazhdueshëm financiar, dhe në veçanti ekspansioni i critpocurrencies¸ duke përsëritur pozicionin e Bankës së Shqipërisë se këto instrumente nuk janë zëvendësuese të parasë tradicionale, por alternativa investimi të parregulluara dhe të pagarantuara, përdorimi i të cilave kërkon kujdes maksimal nga të gjithë agjentët ekonomikë.

Gjatë këtij forumi, Guvernatori Sejko zhvilloi takime me përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me zyrtarë të lartë të bankave qendrore, si dhe me përfaqësues të bankave të ndryshme tregtare.

  

Foto galeria nga Forumi për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore të organizuar nga "Euromoney"