BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në seminarin e organizuar nga Banka Kombëtare e Austrisë dhe Banka Botërore

Data e publikimit: 16.01.2017

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, më 16 janar 2017, mori pjesë në seminarin e organizuar nga Banka Kombëtare e Austrisë dhe Banka Botërore (BB) mbi prezantimin e raportit të BB-së me temë: "Rreziqet dhe kthimet: Administrimi i balancave financiare  për një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse në Evropë dhe Azinë Qendrore". Në këtë raport argumentohet se zhvillimi financiar në Evropë dhe Azinë Qendrore duhet të shkojë përtej kredisë bankare, të jetë më i balancuar në të gjitha dimensionet e financave, si dhe të marrë në konsideratë balancat financiare midis gjithëpërfshirjes dhe stabilitetit.

Ky seminar mblodhi në një tryezë të përbashkët diskutimi figura të njohura të ekonomisë si dhe guvernatorë të bankave qendrore të vendeve të Evropës Juglindore.

copy of img 9631 - copy

Punimet e këtij aktiviteti u hapën me një fjalë përshëndetëse nga Guvernatori i Bankës Kombëtare të Austrisë, z. Ewald Nowotny dhe zj. Ellen Goldstein, Ellen Goldstein, Drejtore Rajonale për Rajonin e Evropës Juglindore, Evropës dhe Azisë Qendrore pranë Bankës Botërore.

Me ftesë të organizatorëve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko mori pjesë si folës në panelin e organizuar në fund të këtij seminari. Ky panel u moderua nga z. Hans Timmer kryeekonomist pranë Bankës Botërore dhe të pranishëm të tjerë ishin Guvernatori i Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë dhe zëvendësguvernatorët e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bankës Kombëtare të Serbisë dhe Bankës Qendrore të Malit të Zi.

Gjatë diskutimeve me panelistët e tjerë, Guvernatori Sejko prezantoi një pasqyrë të zhvillimeve më të fundit financiare në vend dhe sfidave më të rëndësishme të sistemit financiar shqiptar, duke nënvizuar rolin vital që luan sistemi bankar në zhvillimin ekonomik të vendit.

copy of img 9640 - copy

Guvernatori Sejko i cilësoi si mjaft të rëndësishme masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe rolin e saj në garantimin dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Më tej, Guvernatori shtoi se një pjesë e bankave që operojnë në vendin tonë janë me kapital të huaj, dhe si rrjedhojë, zhvillimet financiare të vendeve të Evropës reflektohen edhe në sektorin bankar shqiptar. Guvernatori theksoi se ashtu si dhe në rajon, sfida kryesore për politikën monetare dhe për ekonominë tonë aktualisht është rritja e nivelit të kreditimit. 

Gjithashtu Guvernatori Sejko prezantoi një tjetër çështje, e cila është në fokus jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon, atë të trajtimit të kredive me probleme. Guvernatori u ndal në rëndësinë që Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare i kanë kushtuar planit ndërinstitucional për reduktimin e kredive me probleme, plan ky i cili pritet të sjellë një ulje graduale dhe të qëndrueshme të nivelit të kredive me probleme në të ardhmen.

Së fundmi, gjatë këtij seminari u theksua rëndësia e shkëmbimit të informacionit, përvojës dhe praktikave më të mira midis bankave qendrore, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe garantimin e ruajtjen e stabilitetit financiar në vend dhe në rajon.