BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Zëvendësguvernatores së Parë të Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni në seminarin e nivelit të lartë ndërkombëtar organizuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD)
Data e publikimit: 12.12.2014
Në datën 09.12.2014, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni mori pjesë në seminarin e nivelit të lartë me temë: Fondi i Sigurimit të Depozitave: Pyetje kryesore, qasje të ndryshme, i cili organizohej nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI).
Tema kryesore e seminarit lidhej me mjaftueshmërinë e fondeve në dispozicion të siguruesve të depozitave dhe mënyrat për ti plotësuar ato, me qëllim përgjigjen në kohë ndaj depozituesve të siguruar. Në seminar u mbajtën prezantime të ndryshme nga sigurues që kanë themeluar sigurimin e depozitave si disiplinë të sigurisë financiare, si Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FDIC) dhe Korporata e Sigurimit të Depozitave të Kanadasë (CDIC), si dhe sigurues evropianë me përvojë nga Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Zvicra, etj.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet, zj. Gjoni theksoi rolin e rëndësishëm që luan Agjencia e Sigurimit të Depozitave, si një nga pjesëmarrësit e rrjetit të sigurisë financiare, në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar në vend. Ajo nënvizoi rëndësinë që Banka e Shqipërisë, në cilësinë e Autoritetit Mbikëqyrës, i kushton marrëdhënies institucionale me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave duke e mbështetur atë në iniciativa të rëndësishme për të përmbushur me efikasitet misionin e saj.
Një nga ndërmarrjet e përbashkëta të Bankës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, që zj. Gjoni ndau me të pranishmit, lidhet me përfshirjen e shoqërive të kursim-kreditit në skemën e sigurimit të depozitave, brenda vitit 2015. Zj. Gjoni vlerësoi se ky zhvillim do të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit të punonjësve të të dy institucioneve për fushat përkatëse të veprimtarisë së tyre.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave është institucion publik i krijuar në vitin 2002, i cili funksionon në bazë të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 Për sigurimin e depozitave, me mandat administrimin e skemës së sigurimit të depozitave në Republikën e Shqipërisë. Objektivi kryesor i skemës së sigurimit të depozitave është kompensimi i depozitave të depozituesve.