BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e individëve në bonot e thesarit nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 23.11.2022

 

Në mbledhjen e datës 7 tetor 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të hapura sportelet e Bankës së Shqipërisë që kryejnë ndërmjetësimin e investimit të individëve vetëm në bono thesari në lekë të qeverisë shqiptare.

  • Çfarë janë bonot e thesarit?

Bonot e Thesarit janë një instrument i tregtueshëm borxhi me maturim deri në një vit, që emetohet dhe garantohet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ato emetohen në monedhë kombëtare (Lek) dhe në valutë dhe kanë afate maturimi fillestare 3-, 6- dhe 12-mujore.

  • Kur zhvillohet ankandi?

Kalendari i ankandeve të emetimit të bonove të thesarit përcaktohet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë.

Kalendari për tremujorin e katërt 2022

https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2022/09/Kalendari-Q4_2022.pdf

Normalisht, ankandet për emetimin e bonove të thesarit me afat maturimi 3- dhe 6-mujor, organizohen një herë në muaj, ndërsa ankandet për emetimin e bonove me afat maturimi 12-mujor organizohen çdo dy javë. Si rregull, ankandet zhvillohen ditën e martë, ndërsa emetimi i bonos bëhet dy ditë më vonë, ditën e enjte.

Zhvillimi i ankandit njoftohet paraprakisht nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Banka e Shqipërisë nëpërmjet publikimit të informacionit në faqet përkatëse të internetit.

Për t’u informuar automatikisht mbi ankandet e ardhshme të bonove të thesarit, vepro si më poshtë:

Kliko linkun /Regjistrim_online/ → regjistrohu → zgjidh “Ankande të Bonove të Thesarit”

  • Sa është shumë minimale?

Shuma minimale për të marrë pjesë në ankandet për blerjen e bonove të thesarit është 300.000 lekë. Kjo shumë mund të rritet me shumëfisha të 10.000 lekëve.

  • Si të veproj?

Rikujtojmë se individët mund të marrin pjesë në ankandet e bonove të thesarit nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga autoritetet përkatëse për këtë shërbim (këtë shërbim e ofrojnë bankat: Credins, Intesa Sanpaolo, BKT, ABI, Raiffeisen, OTP, Tirana dhe Banka e Parë e Investimeve) ose nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë.

Nëse zgjidhni të kryeni veprimet nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë, ju lutem ndiqni procedurën e mëposhtme.

  1. Në rast se nuk zotëroni një llogari rrjedhëse me fonde të lira për pjesëmarrje në ankandin e bonove të thesarit, fillimisht duhet të paraqiteni pranë një banke tregtare për ta hapur një të tillë dhe për të derdhur fondet që do të investoni në bono. (Këtë shërbim e ofrojnë bankat: Credins, Intesa Sanpaolo, BKT, ABI, ProCredit, Raiffeisen, OTP, Tirana dhe Banka e Parë e Investimeve.)
  2. Urdhëroni bankën tregtare të bllokojë fondet në llogarinë tuaj për pjesëmarrje në ankand.
  3. Më pas, paraqituni pranë sporteleve të Bankës së Shqipërisë për hapjen e llogarisë së bonos së thesarit dhe nënshkrimin e kontratës tip me Bankën e Shqipërisë. Ju duhet të keni një dokument identifikimi, së bashku me numrin IBAN të llogarisë rrjedhëse pranë bankës tregtare, ku keni bllokuar fondet për investim.

Dy ditë pas zhvillimit të ankandit, investitorit i kthehet mbrapsht në llogarinë e tij pranë bankës tregtare, skontoja e bonos së thesarit, që përcaktohet nga yield-i (norma e interesit të bonos) në ankand, sipas një formule të përcaktuar në broshurën që gjendet në linkun e këtij njoftimi.

Në ditën e maturimit, kur investitori përfiton vlerën e plotë të bonos të blerë me çmim të skontuar (duke zbritur shumën që ka marrë në fillim), i mbahet tatimi prej 15% të vlerës së skontos.

  • Ku të paraqitem?

Tiranë: Rruga e Dibrës, Kompleksi “Halili”, Kulla A

Degët e Bankës së Shqipërisë në rrethe:

  • Elbasan: Lagjja “28 Nëntori”, Rruga “11 Nëntori”, pranë Prefekturës Elbasan
  • Gjirokastër: Lagjja “Varosh”, pranë Qarkut Gjirokastër
  • Korçë: Bulevardi “Gjergj Kastrioti”
  • Lushnje: Lagjja “Kongresi i Lushnjes”, prapa Bashkisë Lushnje
  • Shkodër: Lagjja “Qemal Stafa”, Rruga “13 Dhjetori”, pranë Prefekturës Shkodër

Sporteli i bonove të thesarit pranë Bankës së Shqipërisë është i hapur nga ora 8:30 deri në 13:30.

Dëshirojmë të sjellim në vëmendje se të gjitha veprimet me para cash kryhen vetëm pranë bankave tregtare dhe jo pranë sporteleve të Bankës së Shqipërisë.

Për më shumë informacion mund të shfletoni broshurën më poshtë ose t’i drejtoheni një prej bankave tregtare.