BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi pjesmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani në Takimin e Klubit të Guvernatorëve

Data e publikimit: 13.10.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani mori pjesë në edicionin e 10-të të Klubit të Guvernatorëve që u zhvillua nga në datat 10-11 tetor 2003 në Sinaia të Rumanisë.

Temat kryesore e takimit të radhës të Klubit të Guvernatorëve ku bën pjesë edhe Shqipëria, ishin: zhvillimi i sistemit të pagesave dhe rëndësia e bankingut qëndror, ndërtimi i institucioneve për të rritur kapacitetin bankar, komunikimi me publikun, një instrument kryesor i bankierëve qëndrorë dhe zhvillimet në bankat qëndrore që nga takimi i vitit të kaluar.

Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, paraqiti një panoramë të plotë të zhvillimeve të sistemit bankar shqiptar gjatë vitit të fundit. Sipas Guvernatorit, sistemi bankar shqiptar përbëhet nga 15 banka, një nga të cilat një është në proces privatizimi, dy janë me kapital të përbashkët, 11 janë banka ose degë të bankave të huaja dhe një është bankë private me kapital shqiptar. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2003, asetet e sistemit bankar janë rritur me 7 miliardë lekë ose 2 për qind.

Sa i përket zhvillimeve monetare, Guvernatori u shpreh se gjatë 9 muajve të parë të vitit 2003 Indeksi i Çmimeve të Konsumit (Inflacioni) shënoi një normë vjetore 3.9 për qind, nivel brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë për të një inflacioni vjetor 2-4 për qind. Gjatë vitit 2003 Banka e Shqipërisë e ka ulur dy herë normën bazë të interesit (REPO) me 0.5 pikë për qindjeje dhe bankat e nivelit të dytë kanë reaguar në të njëjtin kah duke ulur normën e interesit të bonove të thesarit dhe të depozitave.

Monedha shqiptare ka qenë relativisht e qëndrueshme në kursin e këmbimit me euron dhe dollarin dhe në muajin shtator ishte e vlerësuar 2.8 për qind ndaj euros dhe 12 për qind ndaj dollarit.

Kreditimi i ekonomisë, vazhdoi Guvernatori, ka shënuar zhvillime pozitive gjatë vitit 2003 duke arritur në 8.1 miliardë lekë e në mënyrë të veçantë gjatë muajin korrik ku kredia e re shënoi 2.2 miliardë lekë.

Takimi i Klubit të Guvernatorëve konkludoi se një nga angazhimet kryesore të Bankës Qëndrore Evropiane dhe Eurosistemit, është nxitja e zhvillimit horizontal të sistemit të pagesave. Banka Qëndrore Evropiane dhe bankat qëndrore të vendeve evropiane mund të garantojnë lehtësitë për të siguruar një sistem pagesash dhe kleringu mes komunitetit evropian dhe me vendet e tjera.

Referuesit nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim u shprehën se në rajonin e Ballkanit, stabiliteti i sektorit bankar dhe ruatja e depozitave shtrojnë nevojën për një mbikëqyrje efektive të bankave qëndrore, nevojën për një ligj falimentimi efektiv dhe një mekanizëm sigurimi dhe rregullimesh për depozitat, të cilat duhet të aplikohen në të gjitha bankat, pavarësisht nëse janë private apo shtetërore.

Një temë e rëndësishme e takimit ishte edhe komunikimi i bankave qëndrore me sektorin publik në funksion të rritjes së përgjegjshmërisë, pavarësisë, profesionalizmit dhe besueshmërisë së bankave qëndrore.

Guvernatori Cani u shpreh se Banka e Shqipërisë ka bërë hapa progresive në drejtim të rritjes së transparencës së saj me publikun nëpërmjet rrugëve dhe mënyrave të ndryshme të sqarimit të rolit dhe funksioneve të saj. Ndërkohë, vijoi z.Cani, Banka e Shqipërisë ka filluar përgatitjet për hartimin dhe zbatimin e një strategjie të qartë të marrëdhënieve me publikun dhe mediat me synim rritjen e konsiderueshme të transparencës së vendimeve të saj për publikun në funksion të një politike monetare efikase dhe ndërtimin e modelit të një banke qëndrore transparente, të përgjegjshme, të besueshme dhe të pavarur.

Gjithashtu, Guvernatori Cani pati një sërë takimesh me guvernatorë të bankave qendrore të Turqisë, Greqisë, Rusisë, Kirgiztanit dhe Serbisë.