BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi prezantimin e platformës për adresimin e kredive me probleme

Data e publikimit: 22.10.2013

 

Banka e Shqipërisë ne vazhdën e një sërë iniciativash, ligjore dhe rregullative me synim uljen e numrit të  kredive me probleme dhe nxitjen e procesit të kreditimit në vend, në 16 tetor 2013 zhvilloi një tryezë diskutimi mbi prezantimin e platformës për adresimin e kredive me probleme, me pjesëmarrjen e drejtuesve të sistemit bankar në Shqipëri dhe përfaqësuesve të Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Platforma është hartuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Këshilluese të Sektorit Financiar (FinSAC), të Bankës Botërore me qendër në Vjenë. Qëllimi i kësaj platforme është adresimi dhe përmirësimi i kredive me probleme.

Bashkëpunimi i ngushtë me ekspertët e Qendrës Këshilluese të Sektorit Financiar synon një ristrukturim më të thellë dhe profesional, e  përmirësim të administrimit të kredive me probleme. Qendra Këshilluese e Sektorit Financiar (FinSAC) është themeluar nga Banka Botërore dhe ka për qëllim të ofrojë asistencë teknike, për çështje të rregullimit dhe të mbikëqyrjes së sektorit financiar, për bankat qendrore dhe rregullatorët financiarë në Evropë dhe në Azinë Qendrore.