BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi prezantimin e z. Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv i Bankës Botërore për Shqipërinë

Data e publikimit: 18.09.2018

 

Në datën 18 shtator 2018, në ambientet e Bankës së Shqipërisë u organizua nën kujdesin e Guvernatorit Sejko, një prezantim nga Drejtori Ekzekutiv i Bankës Botërore për Shqipërinë, z. Patrizio Pagano, me temë “Ngadalësimi i produktivitetit dhe hipoteza e stanjacionit shekullor”.

Ky prezantim përqendrohej në çështjet që lidhen me ndikimin e teknologjisë dhe kapitalit njerëzor në nxitjen e rritjes së produktivitetit. Prezantimi i z. Pagano u ndoq me interes nga profesorë e akademikë në fushën e ekonomisë, përfaqësues të bankave të nivelit të dytë, si dhe përfaqësues të institucioneve financiare vendase dhe ndërkombëtare.

 DSC0153-2 - 498

Në fjalën përshëndetëse të këtij aktiviteti, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, falënderoi paraprakisht z. Pagano për prezantimin e tij dhe për përzgjedhjen e temës, e cila trajton një nga sfidat me të cilat po përballet ekonomia botërore pas krizës ekonomike e financiare të vitit 2008.

Guvernatori u shpreh se literatura ekonomike ka një gamë të gjerë studimesh të fokusuara në temat kryesore të diskutimit për periudhën e paskrizës dhe kësaj morie i është shtuar së fundmi dhe botimi i titulluar “Makroekonomiksi ndërkombëtar në sfondin e krizës financiare botërore”, një ndër autorët e të cilit është dhe z. Pagano.

 DSC9980-2 - 498

Roli i produktivitetit në rritjen ekonomike ka qenë dhe është një temë, e cila ka pasur vëmendje të madhe edhe në Bankën e Shqipërisë, shtoi Guvernatori. Ai e cilësoi konkluzionin e prezantimit të z. Pagano se “..normat e ulëta aktuale të rritjes së produktivitetit në rang botëror, nuk përfaqësojnë detyrimisht një ‘normale’ të re të ekonomisë”, si një inkurajim më shumë për nevojën dhe suksesin e reformave në Shqipëri.

Në vijim, Guvernatori e shtjelloi më tej këtë argument duke theksuar së pari se ekonomia shqiptare ka qenë dhe është në një proces ristrukturimi të modelit të saj të rritjes. Niveli dhe shpejtësia e zgjerimit të produktivitetit ka një lidhje të drejtë me shkallën e edukimit dhe të kualifikimit të fuqisë punëtore, si dhe produktiviteti është i lidhur ngushtë me përmirësimin e aftësive menaxheriale të biznesit. Guvernatori theksoi se të gjitha këto reforma kanë qenë dhe janë në vëmendjen e autoriteteve.

 DSC9974-2 - 498

Në prezantimin e tij, zoti Pagano shtjelloi fenomenin e ngadalësimit të rritjes së ekonomive të zhvilluara në periudhën pas krizës, dhe u ndal në analizën e faktorëve ndikues të tij. Duke evidentuar rolin primar që ka pasur në këtë drejtim ngadalësimi i rritjes së produktivitetit dhe i kontributit të punës, ai theksoi se ky zhvillim nuk është diçka specifike e krizës së fundit, por një episod i përsëritur shpesh në historinë e ekonomisë botërore, pas episodeve të forta të krizës. Në këtë kontekst, zoti Pagano shtjelloi këndvështrimin e tij se roli i teknologjive të reja nuk është eksploruar ende tërësisht dhe se potenciali i inovacionit në rang botëror do të përfitojë nga procesi i integrimit botëror. Për këtë arsye, ai inkurajoi vazhdimin e hulumtimit të mëtejshëm shkencor në këtë fushë.

Në përfundim të prezantimit të tij, z. Patrizio Pagano iu përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve të interesuar për të thelluar më tej njohuritë mbi temën e trajtuar.

Së fundi, Guvernatori Sejko falënderoi z. Patrizio Pagano për prezantimin e tij, si dhe përshëndeti mbështetjen e vazhdueshme që Banka Botërore ka dhënë për Shqipërinë dhe bashkëpunimin e deritanishëm midis dy institucioneve.