BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi seminarin: Përvojat e Bankës Kombëtare të Bullgarisë në rrugën drejt Sistemit Evropian të Bankave Qëndrore

Data e publikimit: 05.09.2005

 

Në datë 05.09.2005, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Zyrën e GTZ-së në Tiranë dhe Bankën Kombëtare të Bullgarisë, organizoi seminarin me temë: "Përvojat e Bankës Kombëtare të Bullgarisë në rrugën drejt Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ)". Seminari u drejtua nga Profesor Michael Bolle, këshilltar për Bankën e Shqipërisë në emër të Qeverisë Gjermane. Gjithashtu, të ftuar ishin zj. Daniela Bobeva, Drejtore e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Integrimit Evropian si dhe z. Rossen Grozev, Drejtor i Departamentit të Bankingut, Banka Kombëtare e Bullgarisë. Ndërsa, fjala e hapjes u mbajt nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani.

Temat e seminarit u fokusuan në probleme që kanë të bëjnë me sfidat me të cilat bankat qendrore ndeshen gjatë procesit të përafrimit dhe anëtarësimit në BE dhe SEBQ. Më konkretisht, seminari u përqendrua në ndryshimet institucionale dhe operacionale, që bankat qendrore duhet të kryejnë në kuadër të anëtarësimit në SEBQ si dhe në përafrimin e legjislacionit vendas me atë komunitar.

Duke qenë se Bullgaria (së bashku me Rumaninë) bën pjesë në grupin e vendeve që do të anëtarësohen së fundmi në Bashkimin Evropian, Banka Kombëtare e Bullgarisë (BKB) ka përfituar shumë nga përvoja e dhjetë vendeve të anëtarësuara rishtazi në BE si dhe përbën burimin më të përditësuar të informacionit, meqenëse ka adoptuar legjislacionin më të fundit të BE-së. Në të njëjtën kohë, nga të gjitha vendet ish-kandidate, Bullgaria ka përfunduar më shpejt kapitujt e negociatave me BE-në.

Afërsia gjeografike ndërmjet Bullgarisë dhe Shqipërisë, ngjashmëritë në historinë e vonë financiare dhe ekonomike të të dy vendeve, si dhe përvojat e fituara nga ana e Bankës Kombëtare të Bullgarisë gjatë procesit të integrimit evropian duhen konsideruar edhe nga Banka e Shqipërisë, në kuadrin e sfidave me të cilat institucioni ynë do të përballet në të ardhmen në rrugën drejt anëtarësimit në SEBQ.