BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi seminarin e organizuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit

Data e publikimit: 21.06.2011

 

Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit organizoi sot, në datë 21 qershor 2011 seminarin e nivelit të lartë me temë “Sfidat aktuale ekonomike dhe bashkëpunimi rajonal në Evropën Juglindore”.

Në këtë seminar morën pjesë përfaqësues nga rrethet akademike në Shqipëri, në rajon, e më gjerë, përfaqësues nga sistemi bankar, institucione shtetërore, organizma ndërkombëtarë në Shqipëri dhe përfaqësues nga Banka e Shqipërisë. Organizuar si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Bankës së Shqipërisë dhe Universitetit të Oksfordit nënshkruar në shtator 2010, seminari i sotëm bën pjesë në axhendën e Bankës së Shqipërisë për të qenë aktor aktiv në iniciativat e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore.

Temat kryesore që u diskutuan gjatë seminarit ishin: identifikimi dhe analizimi i sfidave kryesore ekonomike në nxitjen e rritjes së qëndrueshme në rajon; identifikimi i hapësirave dhe niveleve të bashkëpunimit intensiv rajonal; eksplorimi i rolit të institucioneve dhe ankorave të jashtme në rritjen e bashkëpunimit rajonal.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani u përqendrua në identifikimin e mundësive afatmesme dhe afatgjata të rritjes ekonomike dhe mirëqenies në Evropës Juglindore. Kriza e fundit globale dëshmoi se modelet ekonomike që bazohen kryesisht tek borxhi dhe kërkesa e brendshme nuk janë të qëndrueshme. Për këtë arsye, vendet e rajonit duhet të fokusohen, në mënyrë të koordinuar në identifikimin e prioriteteve dhe strategjive ekonomike në të ardhmen që garantojnë stabilitet makrofinanciar dhe rritje të qëndrueshme.

Sfidat më imediate, që janë dhe ato me orientim afatgjatë, mbeten rritja e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit të ekonomive në rajon. E ardhmja e ekonomive tona i përket institucioneve të tregut. Për këtë qëllim, dhe reformat strukturore duhet të synojnë faktorë të tillë si klima e biznesit, konkurrueshmëria e faktorëve të prodhimit, përmirësimi i tregut të punës, zgjerimi dhe thellimi i tregut financiar si dhe një sërë komponentësh të tjerë që do të siguronin rritje të qëndrueshme dhe punësim. Për të qenë të konkurrueshëm globalisht si rajon filozofia e rritjes duhet të bazohet në ngritjen e kapaciteteve dhe në bashkëpunimin rajonal, duke vënë në mënyrë eficiente faktorët e prodhimit në rajon në funksion të rritjes së investimeve e zhvillimit rajonal.

Duke qenë se ekonomitë e rajonit kanë struktura të ngjashme ekonomike dhe partnerë të njëjtë tregtarë, ndjekja e strategjive individuale do të nxiste një konkurrencë brenda rajonit ku fitimet e secilit vend do të rezultonin suboptimale. Për të shmangur një lojë me shumë zero, ne duhet të balancojnë avantazhet e dizavantazhet individuale e të fokusohemi në strategjitë e bashkëpunimit nëpërmjet koordinimit. Bankat qendrore vazhdojnë të japin kontributin e tyre në këtë drejtim. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar jo vetëm për garantimin e kushteve të stabilitetit për zhvillimin e një aktiviteti ekonomik fitimprurës, por edhe për të shtyrë bashkëpunimin me bankat homologe të rajonit, e aktorë të tjerë brenda dhe jashtë vendit në kuadër të debatit e më tej rekomandimeve konkrete për një model rajonal të rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Në shtator të vitit 2010, Banka e Shqipërisë nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Oksfordit. Qëllimi i bashkëpunimit është kryerja e kërkimeve shkencore për nxitjen dhe thellimin e njohurive mbi politikat ekonomike dhe sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rajoni; vlerësimi i mundësive politike për nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike në rajon si dhe integrimi në Bashkimin Evropian.