BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimet e Guvernatorit Sejko gjatë zhvillimit të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 21.10.2019

 

Në datat 18-20 tetor 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në cilësinë e Guvernatorit të Republikës së Shqipërisë në FMN, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Uashington.

Në këto mbledhje të organizuara në tryeza të përbashkëta, vendimmarrësit më të lartë të FMN-së dhe BB-së, guvernatorët e ministrat e financave të vendeve anëtare, si dhe përfaqësues të botës akademike, biznesit dhe shoqërisë civile, diskutojnë mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmërinë për të ardhmen e ekonomisë botërore.

 

6O2A6893 498

Në përfundim të këtyre takimeve u publikua deklarata për shtyp e Komitetit Monetar e Financiar të FMN-së në të cilën u theksua se “Ekonomia globale parashikohet të rritet me rreth 3 për qind këtë vit, por, që nga muaji prill, ritmi i rritjes ka vijuar të dobësohet. Për vitin e ardhshëm, parashikohet që ritmi i rritjes të përshpejtohet, por ecuria e tij në të ardhmen është shumë e pasigurt dhe e rrethuar nga rreziqe të shtuara të kahut të poshtëm. Këto përfshijnë tensione tregtare, pasiguri të politikave dhe rreziqe gjeopolitike, në kushtet e një hapësire të kufizuar të politikave, niveleve të larta dhe në rritje të borxhit, si dhe rritjes së dobësive financiare. Sfida të tjera mbeten gjithashtu të pranishme prej një kohe të gjatë.".

6O2A6887 498

Në Mbledhjet Vjetore të FMN-së dhe BB-së, Shqipëria u përfaqësua nga një delegacion i përbashkët i përbërë nga Banka e Shqipërisë: me përfaqësues Guvernatorin, z. Gent Sejko, Zëvendësguvernatoren e Parë, zj. Luljeta Minxhozi, si dhe drejtues të tjerë të lartë të Bankës; nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë: me përfaqësues Ministren, zj. Anila Denaj, Zëvendësministrin, z. Elton Haxhi, si dhe drejtues të tjerë të lartë të këtij institucioni.

6O2A7104 498

Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitetet më të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilët mund të veçojmë: nga FMN-ja me z. Tao Zhang, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, z. Domenico Fanizza, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë; z. Poul Thomsen, Drejtor i Departamentit Evropian, z. Jan Kees Martijn, Shefi i Misionit për Shqipërinë, z. Paul Mathieu, Këshilltar pranë Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale dhe nga grupi i BB-së me: z. Cyril Muller, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, zj. Linda Van Gelder, Drejtore Rajonale për Ballkanin Perëndimor me qendër në Vjenë, z. Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Mario Guadamillas, Menaxher pranë Bankës Botërore për Evropën dhe Rajonin, si dhe me përfaqësues të institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare.

6O2A6895 498

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare, ku theksoi se zhvillimi i vendit mbetet në një trend pozitiv dhe se aktiviteti ekonomik ka bërë progres drejt rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë.

Guvernatori Sejko prezantoi gjithashtu masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në zbatimin e një kuadri modern për hartimin dhe implementimin e politikës monetare, duke ruajtur një qëndrim stimulues të saj, me qëllim mundësimin e një ambienti financiar me norma të ulëta interesi, me likuiditet të bollshëm dhe qëndrueshmëri në rritje të kursit të këmbimit. Kjo politikë ka nxitur rritjen e konsumit dhe investimeve private, si dhe ka ndihmuar në përshpejtimin e rritjes së kreditimit.

6O2A7080 498

Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë, duke pasur në fokus forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe rritjen ekonomike afatgjatë, mbetet e angazhuar të vijojë mbështetjen e duhur nëpërmjet vazhdimit të stimulit monetar, me synim nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe kthimin e inflacionit në objektiv. Në terma makroekonomikë, ecuria e inflacionit në vend ka pasqyruar forcimin e presioneve të brendshme, ndërkohë që inflacioni i importuar ka ardhur në rënie. Megjithatë pritet që këto presione inflacioniste të kthehen gradualisht në linjë me objektivin e bankës gjatë dy viteve të ardhshme.

6O2A7010 498

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se ai shfaqet likuid, i kapitalizuar dhe me tregues të mirë rentabiliteti. Kapitali rregullator luhatet dukshëm mbi minimumin e detyrueshëm, si dhe raporti i kredive me probleme ka rënë në 11%, kundrejt nivelit maksimal prej gati 25% të shënuar në vitin 2014, falë zbatimit të suksesshëm të planit të masave për reduktimin e tyre.

6O2A6911 498

Më tej, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka qenë e angazhuar për përmirësimin e arkitekturës rregullatore të sistemit financiar dhe për forcimin e rrjetave të sigurisë financiare. Një tjetër çështje e diskutuar gjatë takimeve ishte konsolidimi i sistemit bankar, për të cilën Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet e fokusuar në mbikëqyrjen e kujdesshme të riformatimit të sistemit bankar në vend.

6O2A6884 498

Guvernatori u ndal gjithashtu në rëndësinë e përmirësimeve në fushën e pagesave nëpërmjet digjitalizimit të tregut, nxitjes së përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave dhe zgjerimit të përfshirjes financiare të popullsisë. Gjithashtu Guvernatori nënvizoi nevojën e vijimit dhe thellimit të edukimit financiar të publikut, nëpërmjet rritjes së rolit të Muzeut të Bankës së Shqipërisë dhe programeve të shënjestruara edukative, si dhe ngritjen e një strategjie mbarëkombëtare ku do të përfshihen të gjithë aktorët në vend.

Së fundmi, Guvernatori u shpreh se në fokus të punës së Bankës së Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet nxitja e mëtejshme e  kreditimit të shëndetshëm nga sektori bankar, si një kontributor me mjaft rëndësi në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

6O2A7068 498

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në reduktimin e kredive me probleme, në përmirësimin e ambientit të kreditimit e kuadrit mbikëqyrës e rregullator, dhe përafrimin e tij me standardet më të mira ndërkombëtare.

6O2A6937 498

Në vijim, ata nënvizuan se politika monetare stimuluese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, ka ndihmuar në qëndrueshmërinë e monedhës vendase, si dhe ka influencuar që rritja ekonomike të ecë në një trajektore pozitive. Në këtë drejtim ata vlerësuan rolin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë ka luajtur në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe shprehën gatishmërinë e tyre për vazhdimin e ofrimit të asistencës teknike për Bankën e Shqipërisë.

6O2A7101 498

Më tej, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së diskutuan mbi vijimin e reformave strukturore, si instrument për rritjen e produktivitetit, zgjerimin e potencialit ekonomik, rritjen e rezistencës ndaj goditjeve dhe konvergimin me standardet e Bashkimit Evropian. Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së u shprehën se përshpejtimi i këtyre reformave do të ndikonte gjithashtu në rritjen e konkurrueshmërisë dhe përmirësimin e klimës së biznesit në perspektivën afatgjatë të vendit.

Gjatë takimeve, Guvernatori Sejko u shprehu falënderimet përfaqësuesve të FMN-së dhe BB-së për mbështetjen dhe asistencën e ofruar në vazhdimësi ndaj Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera në vend.

6O2A7110 498

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë në takimin e Komitetit Ndërkombëtar Monetar e Financiar të FMN-së, si dhe në punimet e seminarit të G30. Gjithashtu, ai ishte pjesëmarrës në takimet e përbashkëta të ministrave dhe guvernatorëve të vendeve anëtare të disa konsistuencave të FMN-së. Delegacioni zhvilloi takime edhe me homologë nga vende të ndryshme, ku pati mundësinë të diskutojë mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.