BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimet e Guvernatorit Sejko gjatë zhvillimit të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 14.10.2022

 

Në datat 12-16 tetor 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto mbledhje përfaqësojnë një forum të nivelit të lartë, ku vendimmarrësit më të lartë të FMN-së dhe BB-së, së bashku me guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të këtyre institucioneve ndërkombëtare financiare, mblidhen së bashku për të diskutuar zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore.

Në këto mbledhje, Shqipëria u përfaqësua nga një delegacion i përbashkët me përfaqësues të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave.

Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilët veçojmë: nga FMN-ja, me z. Domenico Fanizza, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Federico Giammusso, Drejtor i Ardhshëm Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit Evropian, zj. Yan Sun, Shefe e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, dhe z. Udaibir Das, Këshilltar në Departamentin e Tregjeve Monetare dhe Kapitale; ndërsa nga grupi i BB-së me zj. Anna Bjerde, Zëvendëspresidente për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, z. Matteo Bugamelli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Clay Lin, Drejtor për Sigurinë dhe Menaxhimin e Riskut, z. Junaid Kamal Ahmad, Zëvendëspresident i MIGA-s për Operacionet, z. Alfonso Garcia Mora, Zëvendëspresident për Rajonin e Evropës pranë Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), dhe zj. Rana Karadsheh, Drejtore Rajonale për Evropën pranë Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC).

Gjithashtu, Guvernatori mori pjesë në një takim mjaft të rëndësishëm mbi krizën energjetike dhe ndikimin socio-ekonomik të saj në Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Banka Botërore, nën kujdesin e Drejtorit të Sektorit Energjetik dhe Drejtorit Rajonal të Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimeve, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare. Ekonomia shqiptare ka përballuar mirë goditjet e shumta të viteve të fundit, si tërmeti i vitit 2019 e pandemia COVID-19. Megjithëse ekspozimet e drejtpërdrejta të Shqipërisë ndaj konfliktit Rusi - Ukrainë janë të kufizuara, Shqipëria tani po përballet me sfida që vijnë si pasojë e rritjes së çmimeve ndërkombëtare të energjisë dhe ngadalësimit ekonomik në Evropë. Guvernatori theksoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim, ndërsa shprehu angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të dhënë të gjithë mbështetjen e duhur.

Në vijim, Guvernatori theksoi se inflacioni vazhdon të mbetet një sfidë kryesore për stabilitetin makroekonomik, rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit, pavarësisht se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet. Inflacioni është rritur ndjeshëm dhe pritet të ulet gjatë vitit 2023. Marrja e masave për zbutjen dhe kthimin e tij në objektiv është në fokus kryesor të punës së bankës qendrore. Guvernatori Sejko u shpreh se fillimi i normalizimit të politikës monetare ka qenë i nevojshëm për të zbutur këtë tregues, ndërkohë që ka pasur një vigjilencë të shtuar ndaj normave më të larta të interesit për të ruajtur stabilitetin financiar.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së mbështetën ndryshimin e kursit të politikës monetare të ndërmarrë nga BSH-ja, si dhe shtuan se kushtet monetare janë ende akomoduese, pavarësisht nga rritjet e njëpasnjëshme e normës së interesit.

 

Guvernatori shtoi se rritja ekonomike do vijojë të përfitojë nga stabiliteti i përgjithshëm, nga bilancet e shëndosha të familjeve dhe bizneseve, si dhe nga mbështetja me kredi nga sektori bankar, i cili paraqitet i shëndetshëm, likuid dhe i mirëkapitalizuar. Reformat e vazhdueshme të ndërmarrë në vitet e fundit kanë dhënë frytet e veta. Konsolidimi i sektorit bankar, përmirësimi i ambientit të kredisë, zhvillimi i gjithanshëm i tregjeve financiare dhe i sistemeve të pagesave, si dhe nismat për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare, kanë sjellë përmirësime të dukshme cilësore në qëndrueshmërinë dhe eficiencën e sektorit bankar.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së shtuan se sistemi bankar i ka përballuar mirë goditjet e njëpasnjëshme, mbështetur nga përpjekjet e vazhdueshme të BSH-së për të forcuar rregullimin dhe mbikëqyrjen. Përmirësimi i këtyre të fundit, në përputhje me standardet e BE-së, do mund t’u siguronte autoriteteve mjete për të menaxhuar më mirë rreziqet e stabilitetit financiar. Gjithashtu, ata inkurajuan vijimin e mëtejshëm të përpjekjeve drejt de-euroizimit të ekonomisë, si një masë e nevojshme për një transmetim më të mirë të politikës monetare dhe ruajtjes së stabilitetit financiar.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit nënvizuan se trajtimi i sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, si inflacioni, kriza energjetike etj. nxjerrin në pah edhe një herë një sërë detyrash që duhen marrë në konsideratë nga autoritetet.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së shtuan se investimi i vazhdueshëm në reforma të cilat nxisin dhe inkurajojnë stabilitetin makroekonomik të vendit, përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e eficiencës dhe të konkurrueshmërisë, përmirësimin e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale, si dhe zhvillimin e gjithanshëm të infrastrukturës, është rruga e vetme drejt një progresi më të shpejtë ekonomik dhe social.

Guvernatori Sejko shtoi se Banka e Shqipërisë mbështet dhe inkurajon ruajtjen e vëmendjes drejt reformave strukturore. Tashmë kjo agjendë reformash gjen një ankorë të fortë në procesin e negociatave që vendi po zhvillon në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimeve të zhvilluara, Guvernatori shprehu mirënjohjen ndaj përfaqësuesve të FMN-së dhe BB-së për asistencën e vazhdueshme dhënë Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera në vend, si dhe për shkëmbimin e hapur të pikëpamjeve dhe diskutimet e frytshme dhe transparente. “Në tërësi, konstatoj se Banka e Shqipërisë dhe FMN-ja kanë ndarë opinione të ngjashme mbi sfidat e zhvillimit që kemi përpara” – shtoi Guvernatori. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së veçuan dhe vlerësuan si mjaft pozitive rritjen e kapaciteteve profesionale në Bankën e Shqipërisë, si dhe pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në aktivitetet e organizuara nga FMN-ja.

Gjithashtu, delegacioni pati rastin të zhvillojë takime dhe me homologë nga vende të ndryshme, takime në të cilat u diskutua mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, me qëllim thithjen e asistencës teknike për çështje specifike nga ana e Bankës së Shqipërisë.

IMG-20221017-WA0003 498

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e BSH-së morën pjesë në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar e Financiar të FMN-së, në seancën plenare të Mbledhjeve Vjetore të FMN-BB, si dhe në punimet e seminarit të G30.

IMG-20221017-WA0002 498

Guvernatori Sejko ishte gjithashtu i ftuar në një mëngjes pune me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të organizuar nga Drejtori i Departamentit Evropian pranë FMN-së, z. Alfred Kammer.