BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimet e Guvernatorit Sejko gjatë zhvillimit të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 15.10.2018

 

Në datat 12-14 tetor 2018, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në cilësinë e Guvernatorit të Republikës së Shqipërisë në FMN, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Bali, Indonezi.

#498 Group foto

Këto mbledhje përfaqësojnë një forum të nivelit të lartë ku mblidhen për të diskutuar së bashku, mbi zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore, vendimmarrësit më të lartë të FMN-së dhe BB-së, së bashku me guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të këtyre institucioneve ndërkombëtare financiare.

Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar e Financiar të FMN-së theksohet se zgjerimi global mbetet i fortë. Rritja ekonomike është parashikuar të jetë e qëndrueshme në periudhën afatmesme dhe e moderuar më vonë. Megjithatë, rimëkëmbja ekonomike  gjithnjë e më shumë  bëhet më e pabarabartë, ndërsa janë materializuar disa nga rreziqet e identifikuara më parë. Në përgjithësi, rreziqet gjithnjë e më shumë po orientohen për poshtë, në kushtet e  tensioneve tregtare të intensifikuara , shqetësimeve të vazhdueshme gjeopolitike, dhe kushteve financiare më të shtrënguara, duke ndikuar në veçanti  shumë tregje në zhvillim dhe ekonomi të zhvilluara. Pasiguria politike, nivelet e larta historike të borxhit, brishtësitë financiare në rritje dhe hapësira e kufizuar e politikës mund të minojnë besimin dhe të ardhmen e rritjes ekonomike.

#498 Cyril Muller

Në këto mbledhje, Shqipëria u përfaqësua nëpërmjet një delegacioni të përbashkët, të kryesuar nga Guvernatori Sejko, dhe me përbërje përfaqësues të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë

Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilët veçojmë: nga FMN-ja me z. Tao Zhang, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, z. Alessandro Leipold, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë; z. Poul Thomsen, Drejtor i Departamentit Evropian, dhe nga grupi i BB-së me: z. Cyril Muller, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, zj. Linda Van Gelder, Drejtore Rajonale për Ballkanin Perëndimor me qendër në Vjenë, zj. Wiebke Schloemer, Drejtore Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), si dhe me përfaqësues të lartë të Deutsche Bank, e të mjaft institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare.

#498 Tao Zhang

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare. Guvernatori theksoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim dhe shprehu angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të mbështeturrritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë.

Në vijim, Guvernatori prezantoi masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë si politika monetare lehtësuese, e shoqëruar me politikat stimuluese makroprudenciale, me qëllim përshpejtimin e aktivitetit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të japë gjithë mbështetjen e duhur, nëpërmjet vazhdimit të stimulit monetar, me synim nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe kthimin e inflacionit në objektiv.

#498 albania team - 1

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se ai shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë, i mirëkapitalizuar dhe likuid. Rënia e mëtejshme e treguesit të kredive me probleme në nivelin 12.9%, më i ulëti në këto vitet e fundit, është një shenjë  mjaft pozitive, e cila i hap rrugë rritjes së pranisë dhe kontributit të sistemit bankar në ekonomi dhe nxitjes së mëtejshme të një kreditimi të shëndetshëm.

Më tej, Guvernatori Sejko theksoi se sistemi bankar është aktualisht nën një proces konsolidimi dhe siguroi përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së se Banka e Shqipërisë, në përputhje të plotë me mandatin e saj ligjor, do të ushtrojë me përpikmëri dhe rreptësi rolin e saj rregullator dhe mbikëqyrës, duke garantuar që aktorët e rinj në treg të përmbushin plotësisht kërkesat rregullative dhe ligjore të përcaktuara, e duke ruajtur të pacenueshëm stabilitetin financiar të vendit.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zhvillimin dhe stabilitetin makroekonomik të vendit. Në veçanti, mbajtja e një kursi akomodues të politikës monetare, në harmoni me atë konsoliduese fiskale, ndërhyrjet në tregun valutor me qëllim ruajtjen e objektivit të inflacionit, si dhe kujdesi i vazhdueshëm i treguar në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar, u cilësuan si veprime mjaft të nevojshme dhe të përshtatshme, të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.

Në vijim, ata nënvizuan se ekonomia shqiptare ka vijuar të ecë në një trajektore pozitive, ndërkohë që trajtimi i sfidave kryesore, me të cilat ajo përballet, është mjaft i rëndësishëm dhe mbetet një prioritet, vijimi i punës për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit, nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja, si dhe rritjen e eficiencës dhe zgjerimit të potencialit ekonomik.

Gjatë diskutimeve, të pranishmit u shprehën se Shqipëria ka treguar se është e orientuar drejt normalizimit dhe rritjes së besueshmërisë, si dhe po ndërmerr masat e nevojshme që ndikojnë në forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike.

Në këtë pikë, trendi rënës i raportit të kredive me probleme është një ndër treguesit mjaft domethënës - theksuan ata, - e megjithatë, paralelisht me vazhdimin e punës në drejtim të nxitjes së aktivitetit ekonomik, është po ashtu mjaft e rëndësishme që vendi dhe institucionet të jenë të mirëpërgatitura dhe të reagojnë në kohën dhe mënyrën e duhur, në rast të ndonjë goditjeje nga faktorë të jashtëm ose të brendshëm.

Gjatë takimeve, Guvernatori Sejko u shprehu falënderimet përfaqësuesve të FMN-së dhe BB-së për mbështetjen dhe asistencën e ofruar në vazhdimësi ndaj Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera në vend.

Delegacioni zhvilloi takime edhe me homologë nga vende të ndryshme, ku pati mundësinë të diskutojë mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë në takimin e Komitetit Ndërkombëtar Monetar e Financiar të FMN-së, si dhe në punimet e seminarit të G30. Gjithashtu, ai ishte pjesëmarrës në takimet e përbashkëta të ministrave dhe guvernatorëve të vendeve anëtare të disa konsistuencave të FMN-së.