BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi takimet e Guvernatorit Sejko gjatë zhvillimit të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 16.10.2017

 

Në datat 13-15 tetor 2017, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në cilësinë e Guvernatorit të Republikës së Shqipërisë në FMN, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto mbledhje përfaqësojnë një forum të nivelit të lartë ku vendimmarrësit më të lartë të FMN-së dhe BB-së, së bashku me guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të këtyre institucioneve ndërkombëtare financiare, mblidhen së bashku për të diskutuar zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore.

# 498 foto grup

Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar e Financiar të FMN-së theksohet se trendi rritës i aktivitetit ekonomik global vijon, ndërkohë që përpiqemi të arrijmë rritje më të lartë, të qëndrueshme dhe me bazë të gjerë. Parashikimet po forcohen, me një përmirësim të dukshëm në investime, tregti, prodhim industrial, së bashku me rritjen e besimit. Megjithatë, rimëkëmbja nuk është ende e plotë, ndërsa inflacioni mbetet poshtë objektivit në pjesën më të madhe të ekonomive më të zhvilluara dhe rritja potenciale mbetet e dobët në shumë vende.

Komiteti mbetet thellësisht i angazhuar për të arritur një rritje ekonomike të fortë, të qëndrueshme, të ekuilibruar, gjithëpërfshirëse dhe që gjeneron punësim. Për këtë, ai rekomandon mbështetje për rimëkëmbjen dhe rigjallërim të perspektivave të rritjes, ruajtje të stabilitetit financiar, nxitje të përfshirjes dhe ndërtimin e besimit te institucionet si dhe bashkëpunim për përballimin e sfidave të përbashkëta.

Në këto mbledhje, Shqipëria u përfaqësua nëpërmjet një delegacioni të përbashkët me përfaqësues të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave.

#498 img 5754 - copy

#498 img 5839 - copy

Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilët veçojmë: nga FMN-ja me z. Tao Zhang, Zëvendësdrejtor i përgjithshëm i FMN-së, me z. Carlo Cottarelli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Poul Thomsen, Drejtor i Departamentit Evropian, zj. Anita Tuladhar, Shefe e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë; nga grupi i BB-së me: z. Cyril Muller, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, z. Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë; zj. Linda Van Gelder, Drejtore Rajonale për Ballkanin Perëndimor me qendër në Vjenë, zj. Johanna Jaeger, eksperte e lartë në sektorin financiar, z. Mario Guadamillas, Menaxher i Praktikave të Financave dhe Tregjeve.

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare. Guvernatori theksoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim dhe shprehu angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të dhënë të gjithë mbështetjen e duhur në kuadër të hapave që duhen ndërmarrë për të përshpejtuar aktivitetin e ardhshëm ekonomik të vendit. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zhvillimin dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se sistemi shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë si dhe me një nivel të kënaqshëm kapitalizimi dhe likuiditeti. Disa nga çështjet më të rëndësishme që u diskutuan ishin nxitja e kreditimit, reduktimi i kredive me probleme, nisma në drejtim të deeuroizimit të ekonomisë, zhvillimi i tregut të kapitalit në vend si dhe ai i sistemit të pagesave.

Lidhur me nivelet e larta të euroizimit, Guvernatori Sejko prezantoi Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga Banka e Shqipërisë së bashku me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me të cilën po ndiqet një përqasje strategjike afatgjatë për deeuroizimin e ekonomisë, që nëpërmjet reduktimit të përdorimit të euros në ekonominë shqiptare do të mundësojë rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend.

#498 img 5992 - copy

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit nënvizuan se trajtimi i sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, si ruajtja e stabilitetit dhe vazhdimi e thellimi i mëtejshëm i reformave strukturore, mbeten të një rëndësie të veçantë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri.

Gjatë takimeve të zhvilluara, Guvernatori Sejko shprehu falënderimet ndaj përfaqësuesve të FMN-së për asistencën e dhënë në vazhdimësi prej tyre ndaj Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera në vend. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së veçuan dhe vlerësuan si mjaft pozitive rritjen e kapaciteteve profesionale në Bankën e Shqipërisë, si dhe pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në aktivitetet e organizuara nga FMN-ja.

Një tjetër takim mjaft i rëndësishëm ishte edhe ai i Komitetit Drejtues të Nismës së Vjenës. Gjatë tij, Guvernatori njohu të pranishmit lidhur me planin e veprimit ndërinstitucional dhe masave të ndryshme të Bankës së Shqipërisë në drejtim të uljes së kredive me probleme, si dhe nënvizoi se trajtimi i tyre ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë. Guvernatori Sejko shtoi se masat e ndërmarra, kanë dhënë efektet e tyre graduale dhe të qëndrueshme, duke bërë që raporti i kredive me probleme ndaj kredisë totale të zbresë në nivelin më të ulët që prej vitit 2011, dhe pritet të vazhdojë në këtë drejtim edhe në të ardhmen e afërt.

Gjithashtu, delegacioni pati rastin të zhvillojë takime dhe me homologë nga vende të ndryshme. Në këto takime u diskutua mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe me qëllim thithjen e asistencës teknike për çështje specifike nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë në takimin e Komitetit Ndërkombëtar Monetar e Financiar të FMN-së, si dhe në punimet e seminarit të G30. Gjithashtu, ai ishte pjesëmarrës në takimet e përbashkëta të ministrave dhe guvernatorëve të vendeve anëtare të disa konsistuencave të FMN-së.