BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, gjatë Mbledhjes Vjetore të BERZH-it, të mbajtur në Beograd, në datat 22 - 23 maj 2005

Data e publikimit: 25.05.2005

 

Nga data 22-23 Maj, 2005 u zhvillua mbledhja vjetore e BERZH-it në Beograd me temë "Ndërtimi i urave dhe nxitja e prosperitetit", në të cilën ishte i pranishëm dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani.. Në prezantimin dhe promovimin e Shqipërisë, z. Fullani foli rreth zhvillimeve dhe konsolidimit të sistemit bankar si edhe për rëndësinë e integrimit dhe bashkëpunimit rajonal. Gjatë qëndrimit në Beograd, z. Fullani zhvilloi një sërë takimesh me Guvernatorë të vendeve të Rajonit.

Në takimin me Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Serbisë z.Radovan Jelacic në Bankën Qendrore, z. Fullani i shprehu falenderimet për mikpritjen e ofruar dhe e njohu bashkëbiseduesin me zhvillimet e fundit në ekonominë shqiptare si edhe me zhvillimet në sektorin financiar të vendit. Ai gjithashtu parashtroi idetë e tij mbi problemet ekonomike të rajonit në rrugën e përbashkët drejt integrimit europian.

Të dy Guvernatorët ishin të një mendimi se nxitja e bashkëpunimit dhe e integrimit ekonomik rajonal është në të mirë të të dy vendeve. Gjithashtu, ata ndanë të njëjtin mendim që bashkëpunimi i nisur të vazhdojë ëdhe më tej në të ardhmen me shkëmbim vizitash, informacionesh eksperiencash etj., në interes të të dy institucioneve.

Në takimin me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Malit të Zi, zotin Ljubisa Krgovic, u vlerësua bashkëpunimi i frytshëm i deritanishëm dhe theksua se zhvillimet ekonomike, stabiliteti dhe bashkëpunimi janë në interes të të dy vendeve dhe të rajonit, duke ndihmuar në procesin e nisur drejt integrimit evropian. Të dy guvernatorët ndanë të njëjtin mendim, që në këtë proces të nisur drejt integrimit evropian është më mirë për vendet tona të prezantohen me një zë, për t'i përcuar dhe për t'i zgjidhur problemet dhe cështjet bashkarisht me Komunitetin Evropian.

Nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe për mbikëqyrjen bankare pak kohe më parë do t'i hapë rrugë bashkëpunimit rajonal edhe në fusha të tjera, që lidhen ngushtë me stabilitetin financiar në rajon.

Në takimin me Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Maqedonisë z. Petar Goshev u diskutuan problemet, zhvillimet ekonomike si dhe ecuria e treguesve makroekonomike të të dy vendeve. Guvernatori Fullani theksoi rendësinë e bashkëpunimit të nisur si edhe rëndësinë e bashkepunimit rajonal. Të dy guvernatorët bënë të njëjtin vlerësim si edhe theksuan që ky bahkëpunim duhet të thellohet edhe në të ardhmem me vizita të dyanshme dhe shkëmbim eksperiencash jo vetëm në fushën e mbikëqyrjes bankare, por edhe në atë të kërkimeve, të politikës monetare, të sistemit të pagesave etj..

Në takimet e zhvilluara, të katër guvernatorët ranë dakort në parim me idenë e z. Fullani për krijimin e një klubi të guvernatorëve të rajonit me qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal. Kjo ide është parapëlqyer paraprakisht edhe nga Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe nga disa bankat e tjera qendrore si Banka Qendrore e Italisë dhe Banka Qendrore e Austrisë, të cilat kanë shprehur mbështetjen e tyre rreth kësaj iniciative.

Ndërkohë, do të zhvillohen vizita të ndërsjellta pune edhe në bashkepunim me Bankën Qendrore Europiane duke iniciuar një mbledhje pune të Guvernatorëve të Bankave Qendrore të Ballkanit, e cila do të hapë rrugën e bashkëpunimit në të ardhmen.