BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, gjatë Takimit Vjetor të FMN-së dhe Bankës Botërore në Dubai

Data e publikimit: 23.09.2003

 

Gjatë qëndrimit në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe ku po zhvillohet Takimi Vjetor i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka zhvilluar disa takime me personalitete të bankingut qendror dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Në takimin me drejtorin ekzekutiv të Autoritetit për Banka dhe Pagesa të Kosovës, z. Donat Branger, është diskutuar përgjithësisht mbi situatën ekonomike dhe veçanërisht mbi zhvillimet në sistemet financiare në të dyja vendet.

Z.Cani dhe z. Branger ranë dakort për një këmbim më intensiv të mendimeve, opinioneve dhe shkëmbimit të asistencës teknike midis dy institucioneve si dhe për vendosjen mbi baza të rregullta të trainimeve e kualifikimeve të specialistëve tanë.

Sipas bashkëbiseduesve, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti për Banka dhe Pagesa të Kosovës do të shohin mundësinë e përmirësimit të mëtejshëm dhe të zyrtarizimit të marrëdhënieve mes dy institucioneve.

* * *

Në takimin me z. Kosrow K. Zamani, Drejtor për Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore në Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore dhe me z. Z.William Buiter, shef- ekonomist pranë Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), u diskutua në përgjithësi mbi zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe marrëdhëniet e Bankës së Shqipërisë me institucionet financiare ndërkombëtare.

Një temë me interes në takimin e Guvernatorit me drejtuesit e IFC-së dhe të BERZH-it ishte edhe ecuria e procesit të privatizimit të Bankës së Kursimeve. Më konkretisht, plani i veprimeve që do të merren deri në fund të vitit lidhur me finalizimin e këtij procesi.

Gjithashtu, takimi u përqendrua në gjetjen sa më shpejt të investitorit të ri për aksionet e Bankës Kombëtare Tregtare që i takonin Kent Bank dhe që janë nën administrimin e Fondi Turk i Sigurimit të Depozitave (SDIF) i cili është nën varësinë e Agjencisë Turke të Rregullimeve dhe Mbikëqyrjes Bankare. Përfaqësuesit e IFC dhe BERZH, si aksionerë të BKT-së, u shprehën se kohët e fundit kanë intensifikuar përpjekjet për gjetjen e një aksioneri të ri, për këtë pjesë të aksioneve.

Nga ky këndvështrim të tre institucionet pjesëmarrëse në takim ndanë të njëjtin mendim, se pronari i ri i BKT-së duhet të gëzojë reputacion, dhe për këtë arsye IFC ashtu sikurse edhe aksionieri tjetër BERZH duhet të inkurajojnë Fondin Turk të Sigurimit të Depozitave, në gjetjen e një alternative të pranueshme për blerjen e aksioneve të BKT-së. Nisur nga fakti që BKT përbën bankën e dytë më të madhe në vend si dhe duke gjykuar nga gjendja e saj e shëndoshë dhe shtrirja interesante gjeografike, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se ekzistojnë lehtësira të mjaftueshme për gjetjen e një investitori të ri sa më të përshtatshëm.

Për këtë qëllim u ra dakort që në një vizitë së shpejti të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Shkëlqim Cani në Turqi, do të bëhet i mundur kontaktimi i njëhershëm i të tre pronarëve aktualë të Bankës Kombëtare Tregtare si dhe vlerësimi nga afër i kandidaturave të mundshme turke, për blerjen e paketës së aksioneve që aktualisht është në zotërimin e Fondit të Sigurimit të Depozitave.

Në përfundim të takimit diskutimet u përqendruan në metodologjinë dhe procedurat që ndiqen për përllogaritjen e pikëve që i jepen vendeve në zhvillim në publikimin e njohur të BERZH "Raporti i zhvillimit i vendeve në tranzicion". Nga ana e zotit Buiter u shpreh se ekziston një procedurë transparente në përfundim të së cilës kërkohet edhe opinioni i autoriteteve përkatëse të çdo vendi, ku komentet ose opinonin për pjesën financiare për Shqipërinë në raportin e radhës do ta bëjë vetë Banka e Shqipërisë.