BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, gjatë Takimit Vjetor të FMN-së dhe Bankës Botërore në Dubai

Data e publikimit: 22.09.2003

 

Në prag të takimit vjetor të Bankës Botërore (BB) dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që do të mbahet më 23-24 shtator 2003 në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht Guvernator i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë, z.Shkëlqim Cani, ka zhvilluar një takim dje me znj.Carol Carson, Drejtore e Departamentit të Statistikave të FMN-së.

Fillimisht, zoti Cani shprehu falenderimet në emër të institucionit që ai drejton për asistencën e vazhdueshme që Departamenti i Statistikave i ka ofruar Bankës së Shqipërisë. Në fjalën e tij, ai theksoi se që nga takimi i fundit në pranverën e këtij viti, janë realizuar një sërë hapash nga ana e Bankës së Shqipërisë, nga të cilat veçohen: publikimi në faqen e internetit të manualit të plotë të statistikave monetare dhe financiare; vënia në dispozicion të autoriteteve përkatëse të Kosovës e manualit të plotë të statistikave monetare dhe financiare, përfshirja e shoqërive të kursim-kreditit në statistikat e Bankës së Shqipërisë, puna përgatitore për anëtarësimin e Shqipërisë në SDDS (Special Data Dissemination Standards - Standardet Speciale të Publikimit të të Dhënave), etj..

Nga ana e saj, zj.Carson shprehu optimizëm për bashkëpunimin e deritashëm me Bankën e Shqipërisë dhe në emër të Departamentit të Statistikave të FMN-së u angazhua në thellimin e asistencës së mëtejshme në fushat e mëposhtme:

- Implikimet statistikore në adoptimin dhe aplikimin e regjimit "Inflation Targeting" (në bashkëpunim me misionin MAE).

- Verifikimin e zërit renta e imputuar në lidhje me efektin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në totalin e shportës së indeksit të çmimeve të konsumit.

- Çertifikimin final dhe publikimin e shpejtë të Llogarive Kombëtare.

- Anëtarësimin e Shqipërise në SDDS.

Në takimin me z.Michael C.Deppler, Drejtor i Departamentit I-rë për Evropën i Fondit Monetar Ndërkombtar, zoti Cani bëri një pasqyrë të hollësishme në lidhje me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke theksuar se treguesit kryesorë të ekonomisë, përgjithësisht, po lëvizin sipas hapave të programuar.

Në lidhje me pritshmëritë për inflacionin nga ana e Guvernatorit Cani u evidentua fakti se aktualisht inflacioni është më afër nivelit të sipërm të intervalit kufi prej 4 për qind, fakt ky që e bën Bankën e Shqipërisë të jetë shumë e kujdesshme në marrjen e një vendimi të ri në lidhje me një ulje të mundshme të normës së interesit.

Përfaqësuesit e Departamentit të I-rë të FMN-së për Evropën, theksuan se ndajnë të njëjtin opinion në lidhje me zhvillimet e ekonomisë shqiptare dhe se një opinion më të plotë për këtë çështje do ta japë misioni i FMN-së, që do të vizitojë Tiranën gjatë gjysmës së dytë të muajit tetor 2003.

Përveç zhvillimeve ekonomike dhe qëndrimit të ardhshëm të politikës monetare nga ana e bashkëbiseduesve, një theks i veçantë u fokusua edhe në disa çështje si privatizimi i Bankës së Kursimeve, rishitja e aksioneve të Bankës Kombëtare Tregtare të zotëruara nga Kent Bank, klima për biznes, tregu i letrave me vlerë të qeverisë etj..

Në përgjigje të këtij interesimi zoti Cani theksoi se autoritetet shqiptare po bëjnë përpjekje të shumta për finalizimin me sukses të procesit të privatizimit të Bankës së Kursimeve.

Ndërkohë, u shpreh Guvernatori më shumë kujdes duhet treguar në gjetjen e blerësit të ri të aksioneve të BKT-së. Synimi është gjetja e një investitori strategjik me reputacion dhe eksperienca të njohura, pasi vetë BKT përbën një bankë të shëndoshë financiarisht dhe është banka e dytë më e madhe në vend.

* * *

Sot me datë 22 shtator Guvernatori i Bankës së Shqipëisë, z. Shkëlqim Cani, zhvilloi një takim me z. Charles Enoch, Shef i Asistencës Teknike në Departamentin Sistemeve Monetare dhe Financiare (MFD's).

Nga ana e z. Cani, u theksua se asistenca e deritanishme përgjithësisht ka qenë efektive dhe se në vazhdimësinë e marrëdhënieve të Bankës së Shqipërisë me MFD's kërkohet që përparësi t'i jepet objektivit strategjik të Bankës së Shqipërisë për adoptimin e regjimit inflation targeting në të ardhmen.

Ndërmjet të tjerash u theksua se më shumë asistencë nevojitet në drejtim të eksplorimit të mekanizmit të transmisionit monetar, të teknikave të modelimit dhe të parashikimit etj. Si drejtime të tjera të mundshme të asistencës teknike nga ana z. Cani u evidentuan: përmbajtja shkencore e konferencës së ardhshme të Bankës së Shqipërisë, përputhja në maksimum e kontabilitetit të Bankës së Shqipërisë me standartet ndërkombëtare, pasurimi i mëtejshëm i statistikave etj..

Në përfundim nga ana e Guvernatorit edhe një herë u kërkua kryerja e FSAP-it, një vlerësim ky i cili do të lehtësonte mjaft identifikimin e pikave të dobëta që karakteriozojnë aktualisht sektorin financiar në Shqipëri. Për këtë qëllim u kërkua që përfaqësues të FMN-së fillimisht të indikojnë disa nga drejtimet ku duhet punuar në mënyrë që brenda këtij viti, paraprakisht të kryhet një lloj vetëvlerësimi i këtij sektori.

Në komentet e bëra nga zoti Enoch u evidentua se Shqipëria gjithnjë ka qenë një shembull i mirë i eficiencës së asistencës së dhënë nga MFD's (deri para kohësh njihej si MAE) dhe se për këtë qëllim është vendosur që vendi ynë të përdoret si vend pilot, që nënkupton kryerjen e një ekspertize të plotë në lidhje me eficiencën e asistencës teknike të thithur në këto vitet e fundit.

* * *

Guvernatori Cani dhe delegacioni i Bankës së Shqipërisë që e shoqëron do të marrin pjesë në takimin vjetor të BB-së dhe FMN-së që do të zhvillohet gjatë ditëve të ardhshme.