BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, me Drejtorin Ekzekutiv të Autoritetit për Banka dhe Pagesa të Kosovës, z.Donat Branger

Data e publikimit: 26.11.2003

 

Ditën e hënë, datë 08 dhjetor 2003, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani u takua me drejtorin ekzekutiv të Autoritetit për Banka dhe Pagesa të Kosovës, z. Donat Branger.

Tema kryesore e diskutimeve, veç zhvillimeve më të fundit ekonomiko-financiare në Shqipëri dhe Kosovë, iu referua bashkëpunimit konkret mes Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës, në bazë të Memorandumit të Bashkëpunimit mes dy autoriteteve.

Në fjalën e tij Guvernatori Cani u shpreh se "Banka e Shqipërisë në strategjinë e saj të trajnimeve për vitin 2004 do të përfshijë zhvillimin e seminareve intensive me Autoritetin Bankar dhe të Pagesave të Kosovës si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, por edhe në seminare të përbashkëta të organizuara apo mbështetura nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar etj.".

Sipas z.Cani, ekspertët e Bankës së Shqipërisë mund të shkëmbejnë me kolegët e Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës eksperiencat në fushën e mbikëqyrjes bankare, sistemit të pagesave, statistikave, teknologjisë, informacionit etj., ndërkohë që bashkëpunimi do të shtrihet edhe në fushën e organizimit të konferencave, leksioneve dhe studimeve të përbashkëta shkencore në fushën e bankingut qëndror dhe sistemit bankar në përgjithsi.

Nga ana e tij, z. Branger shprehu interes për shkëmbimin e eksperiencave dhe asistencën e Bankës së Shqipërisë në fushën e sistemit të pagesave pasi "cash"- pagesat në dorë përbëjnë një shqetësim real për sistemin bankar dhe ekonominë në Kosovë.

Guvernatori Cani, duke u shprehur se ekziston pak a shumë i njëjti shqetësim edhe në Shqipëri, e njohu z.Branger me fushatën e Bankës së Shqipërisë për "cash"-it në ekonomi. Në fund Guvernatori konkludoi se BSH dhe ABPK do të bashkëpunojnë ngushtësisht dhe mund të krijojmë grupe pune të përbashkëta pasi çështjet janë pak a shumë të ngjashme dhe zgjidhjet e propozuara në fushatën e Bankës së Shqipërisë mund të shërbejnë edhe në rastin e Kosovës.