BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit Sejko me Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore, z. Matteo Bugamelli

Data e publikimit: 25.10.2021

 

Në datën 25 tetor 2021, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, priti në një takim zyrtar në ambientet e Bankës, z. Matteo Bugamelli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore, në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri.

Në këtë takim, përveç z. Bugamelli morën pjesë dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Zyrës së BB-së në Shqipëri, z. Emanuel Salinas si dhe përfaqësuesit më të lartë të Bankës së Shqipërisë.

 DSC7952 2 498

Në krye të këtij takimi, Guvernatori Sejko falënderoi Bankën Botërore për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, iniciativave të përbashkëta të ndërmarra në fushat e reformimeve programore dhe politike, si dhe për kontributin e dhënë e asistencën teknike të vazhdueshme që Banka Botërore i ka ofruar Bankës së Shqipërisë kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, sistemeve të pagesave, edukimit financiar dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e BB-së shfaqën interes lidhur me zhvillimet makroekonomike gjatë vitit 2021 në vendin tonë. Më konkretisht, diskutimet u ndalën në pritjet për rritjen ekonomike, inflacionin, kursin e këmbimit, zhvillimet në sektorin bankar dhe financiar, si dhe orientimin e duhur të politikave ekonomike për përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Guvernatori prezantoi më në detaj ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike, pritjet për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme, si dhe zhvillimet më të fundit në sistemet e pagesave dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme.

 DSC8055 498

Lidhur me zhvillimet në sistemet e pagesave dhe edukimin financiar, Guvernatori diskutoi me misionin mbi zhvillimet më të fundit në Strategjinë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël (2018-2023), si dhe përpjekjet për hartimin e një “Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar”.

Gjithashtu Guvernatori prezantoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në lidhje me hartimin e akteve ligjore dhe rregullative, të cilat synojnë të transpozojnë Direktivën e Bashkimit Evropian “Për Llogarinë e Pagesës”, me synim kryesor krijimin e “llogarisë bazike” që do të nxisë përfshirjen financiare të popullsisë.

Më tej, Guvernatori Sejko vlerësoi në veçanti kontributin e BB-së në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe konkretisht në operacionalizimin e kuadrit rregullator të përafruar me atë të Bashkimit Evropian. Kështu, gjatë periudhës 2017-2021 është kryer progres në drejtim të kuadrit nënligjor të lidhur me ndërhyrjen e jashtëzakonshme, nëpërmjet hartimit të 15 akteve rregullative në përputhje me Ligjin 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”.

Përfaqësuesit e BB-së u shfaqën mjaft optimist për bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë i cili do të fillojë nga viti 2021 në fushën e kërkimeve, nëpërmjet të cilit, Banka e Shqipërisë synon të hartojë një Strategji Kombëtare në lidhje me Edukimin Financiar.

Në përfundim, bashkëbiseduesit diskutuan mbi projektet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë, të cilat mund të mbështeten me asistencë teknike të ofruar nga Banka Botërore.