BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit Sejko me delegacionin e Bankës Botërore

Data e publikimit: 06.02.2020

 

Në datën 6 shkurt 2020, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me delegacionin e Bankës Botërore, të kryesuar nga zj. Johanna Jaeger, eksperte në Sektorin Financiar pranë Bankës Botërore. Takimi u zhvillua në kuadër të projekteve të përbashkëta që Banka e Shqipërisë po zhvillon me Bankën Botërore. 

DSC 4182 498

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko prezantoi ecurinë ekonomike të vendit, ku theksoi se rritja ekonomike ka vijuar trendin pozitiv, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë. Më tej, Guvernatori u ndal në zhvillimet më të fundit, duke nënvizuar se tërmeti i datës 26 nëntor pati një ndikim negativ në ritmin e rritjes ekonomike, i cili pritet të mbartet gjatë vitit 2020, me një efekt rezultant ngadalësues të përkohshëm dhe të përqendruar në rritje ekonomike dhe në inflacion.

Në vijim, Guvernatori u shpreh se nga ana tjetër, procesi i rindërtimit pritet të japë një efekt pozitiv në rritje, por ky efekt do të jetë më i vonë në kohë krahasuar me atë të goditjeve negative dhe jo aq i fortë sa të kompensojë efektet e tyre.

DSC 4250 498

Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë do të vijojë të japë kontributin e saj në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Politika monetare lehtësuese e ndjekur deri tani nga Banka e Shqipërisë ka krijuar kushte të favorshme në ekonomi dhe stimujt e nevojshëm në tregjet financiare. Aktualisht, ambienti i përgjithshëm financiar paraqitet i favorshëm, tregjet karakterizohen nga norma të ulëta interesi, situatë e mirë likuiditeti, qëndrueshmëri në rritje e kursit të këmbimit dhe një trend rritës kreditimi.

Guvernatori nënvizoi se Banka e Shqipërisë do të mbetet e angazhuar në përmirësimin e mëtejshëm të sistemit financiar, duke u fokusuar në zhvillimin e tregjeve financiare dhe sistemit të pagesave; nxitjen e mëtejshme të kreditimit, nëpërmjet zbatimit të Platformës për Rigjallërimin e Kreditimit në Shqipëri dhe vazhdimin e punës për reduktimin e kredive me probleme. Raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.4% në muajin dhjetor 2019; një përmirësim i ndjeshëm i këtij treguesi, i cili kulmoi 5 vite më parë në vlerën 25%.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan kontributin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

Në përfundim, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore diskutuan mbi projektet e ardhshme të përbashkëta.