BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Dr. Shkëlqim Cani, me znj.Doris Koehn, Zv.Presidente e Bankës gjermane KFW dhe kryetare e Bordit të Bankës Procredit-Shqipëri.

Data e publikimit: 22.09.2004

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Dr.Shkëlqim Cani, u takua sot me Zv.Presidenten e Bankës gjermane KFW, znj.Doris Koehn, e cila është njëkohësisht edhe kryetare e Bordit të Bankës Procredit në Shqipëri. Tema kryesore e diskutimeve lidhej me zhvillimet makroekonomike në Shqipëri dhe ecurinë e bankës Procredit në tregun bankar shqiptar.

Në fjalën e tij, Guvernatori Cani u shpreh se zhvillimet e treguesve kryesorë makroekonomië janë pozitive. Ekonomia shqiptare, falë një zhvillimi të shpejtë dhe të qëndrueshëm të sektorit privat, po shënon rritje mesatare të Produktit të Brendshëm Bruto me rreth 6 për qind. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka rezultuar e suksesshme dhe niveli i përgjithshëm i çmimeve është mbajtur nën kontroll, në nivelin 2-4 për qind sipas objektivit të bankës qendrore. Edhe parashikimet e fundit, tregojnë se rritja ekonomike për vitin 2004 do të jetë rreth 6 për qind dhe inflacioni brenda bandës 2-4 për qind.

Sa i përket sistemit bankar shqiptar, Guvernatori u shpreh se pas privatizimit të bankës më të madhe, Bankës së Kursimeve, nga Raiffeisen pritet që të rritet ndjeshëm konkurrenca. Në përgjithësi treguesit e bankës Procredit janë pozitive, ka një agresivitet që duhet të vazhdojë në hapjen e degëve të reja si në Tiranë ashtu edhe në rrethe. Por, njëkohësisht, vijoi z.Cani, pas rrjetit të makinave të tërheqjes së parave (ATM), Procredit mund të tregohet më agresive në drejtim të ofrimit të kartave të kreditit dhe shërbimeve të tjera për klientelën.

Nga ana e saj znj. Koehn vlerësoi politikën monetare dhe drejtimin e Bankës së Shqipërisë sit ë shkëlqyer dhe me ndikim pozitiv në aktivitetin e suksesshëm të Procredit në Shqipëri. Procredit është në procesin e lidhjes së kontratave dhe ofrimit së shpejti të kartave të kreditit dhe ofrimit të shërbimeve të tjera, me synimin e përforcimit të pozitionit të saj në tregun bankar shqiptar edhe pas një konkurrence të fortë pas hyrjes së Raiifeisen Bank.