BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z.Shkëlqim Cani me delegacionin e Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës, të kryesuar nga z. Ajri Begu

Data e publikimit: 23.01.2003

 

Sot paradite Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Shkëlqim Cani, zhvilloi një takim me një delegacion të nivelit të lartë të Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës, të përbërë nga z.Ajri Begu, kryetar i Pleqësisë dhe Znj.Kim Rhee, Menaxhere, të Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës.

Që në fillim të fjalës së tij, Guvernatori Cani u shpreh se "mes Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës(ABPK), ekzistojnë raporte shumë të mira bashkëpunimi të institucionalizuara në Marrëveshjen e Përgjithshme të Bashkëpunimit mes dy institucioneve. Synimi ynë është ta thellojmë më tej këtë bashkëpunim, edhe në funksion të Memorandumit të Mirëkuptimit mes BSH-së dhe ABPK-së, i cili përqëndrohet në sferën e mbikëqyrjes bankare sipas standarteve ndërkombëtare".

Nga ana e tij z.Begu u shpreh se "objektivi kryesor i vizitës së delegacionit të Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës është shkëmbimi i eksperiencës me drejtues të Bankës së Shqipërisë në fushat e Mbikëqyrjes Bankare, Kontabilitetit dhe Pagesave, Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, Teknologjisë, Informacionit etj".

"Banka e Shqipërisë, -vijoi më tej z.Cani, -do të vazhdojë asistencën për Autoritetin Bankar dhe të Pagesave të Kosovës, i cili luan rolin e një Banke Qëndrore në Kosovë, në fushat e zbatimit të politikës monetare, mbikëqyrjes bankare, menaxhimit të rezervave valutore, kontabilitetit dhe pagesave, analizave dhe të statistikës, të funksionimit të clearing-house, të tregut financiar e të letrave me vlerë, teknologjisë dhe informacionit etj."

Të dy bashkëbiseduesit, u ndalën më gjerësisht në mundësitë e bashkëpunimit dhe zhvillimit të sistemeve bankare të Shqipërisë dhe Kosovës në funksion të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Z. Cani dhe z. Begu diskutuan edhe mbi bashkëpunimin konkret midis BSH dhe ABPK në drejtim të sistemit të pagesave.

Dje pasdite delegacioni i ABPK u takua me drejtorin e përgjithshëm të Bankës së Kursimeve z.Ardian Kamberi dhe kryetarin e Bordit të BK-së, z.Lavdosh Zaho. Sot pasdite, rreth orës 17.00, delegacioni i ABPK do të zhvillojë një takim me zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme z. Ilir Meta. Ndërkohë gjatë qëndrimit dy ditor në Tiranë, delegacioni i Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës do të zhvillojë një sërë takimesh me drejtues të Departamenteve të Bankës së Shqipërisë, ku do të diskutohet lidhur me mbikëqyrjen bankare, rregullat bankare të licensimit, planet e Bankës së Shqipërisë për zhvillimin e sistemit të pagesave, rritjen e pavarësisë së bankave qëndrore etj.

Pas takimit, z.Cani dhe z.Begu iu përgjigjen pyetjeve të gazetarëve në një Konferencë për Shtyp.