BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me aktorët e tregut të këmbimit valutor

Data e publikimit: 06.02.2009

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi dje, në datën 5 shkurt 2009, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, një takim me përfaqësuesit e zyrave të këmbimit valutor. Në takim u diskutua rreth zhvillimeve të fundit në ekonominë shqiptare, çështjeve që lidhen me funksionimin më të mirë të tregut financiar dhe rolin e aktorëve të këmbimit valutor në këtë treg.

2009

Z. Fullani e vlerësoi tregun e këmbimeve valutore si më të zhvilluarin në vend, duke theksuar se zyrat e këmbimit valutor kanë luajtur dhe luajnë një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin dhe ecurinë e tij. Ai theksoi faktin se që prej vitit 2000, numri i subjekteve që kryejnë veprimtarinë e këmbimit valutor është 10 - fishuar dhe se Banka e Shqipërisë ka emetuar 227 licenca për zyra të këmbimit valutor, me një shtrirje territoriale gjithëpërfshirëse.

Gjithashtu, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë evidentoi faktin se në ecurinë e kursit të këmbimit është reflektuar në mënyrë të vazhdueshme kërkesa dhe oferta, duke mënjanuar rrezikun e mospërputhjes së çmimit me kushtet makroekonomike në vend.

Në vazhdim, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, u ndal në rolin e Bankës së Shqipërisë për të ofruar programe ose paketa specifike trajnimi rreth produkteve që mund të tregtohen në tregun e brendshëm valutor.

Në fjalën mbyllëse të këtij takimi z. Fullani evidentoi vazhdimësinë e takimeve qe Banka e Shqipërisë ka zhvilluar me aktorët e sistemit financiar si dhe me grupe të tjera të interesit.