BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani me Zëvendësministrin e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Italisë, z. Adolfo Urso

Data e publikimit: 15.10.2009

 

Në datën 14 tetor 2009, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, zhvilloi një takim me Zëvendësministrin e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Italisë, z. Adolfo Urso, në krye të një delegacioni të përbërë nga përfaqësues të kompanive të ndryshme italiane, të cilët morën pjesë në panairin Fiera del Levante të organizuar në Tiranë, në datat 14-17 tetor 2009.

guvernatori fullani ne takim me z

Fillimisht, Guvernatori Fullani bëri një përshkrim të përgjithshëm të zhvillimeve kryesore në ekonominë shqiptare dhe të ecurisë makroekonomike të vendit. Z.Fullani njohu delegacionin italian edhe me masat konkrete që ka marrë Banka e Shqipërisë vitet e fundit në kuadër të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit dhe punën e bërë nga ana e saj për të minimizuar efektet e krizës botërore, duke ndikuar në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe krijimit të një klime pozitive biznesi.

Zëvendësministri Urso ka shprehur vlerësimet e tij për reformat e kryera nga Shqipëria, e cila ka hedhur hapa të fuqishëm dhe të konsoliduar vitet e fundit në shumë drejtime, ku padyshim një kontribut të veçantë ka dhe Banka e Shqipërisë, si autoriteti monetar i vendit me politika të kujdesshme dhe vizionare.

Duke përfituar nga rasti, Guvernatori Fullani ju ka bërë ftesë investitorëve italianë të vazhdojnë mbështetjen dhe investimet e tyre në Shqipëri, e cila ofron një potencial të fuqishëm, me burime natyrore ende të pashfrytëzuara, kapital njerëzor të kualifikuar dhe infrastrukturë moderne në zhvillim.