BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani me delegacionin e Autoritetit të Tregjeve Financiare të Austrisë

Data e publikimit: 09.05.2006

 

Në datën 9 maj 2006, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një takim pune me një delegacion të Autoritetit të Tregjeve Financiare të Austrisë, të kryesuar nga z. Heinrich Traumueller, Drejtor Ekzekutiv i këtij Autoriteti.

takimi 09052006 1 1075 0

Ky takim u zhvillua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dhe zhvillimit midis dy institucioneve, rritjes profesionale dhe kapaciteteve të mbikëqyrjes bankare, dhe ngritjes së saj në standardet më të mira ndërkombëtare. Gjithashtu, u diskutua edhe për masat që po ndërmarrin të dy institucionet në lidhje me adoptimin e standardeve të mbikëqyrjes të kërkuara nga marrëveshja e BASEL II.

Fillimisht, Guvernatori Fullani i ka njohur pjesëmarrësit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe në sistemin bankar, duke u ndalur në veçanti në ritmet e larta të rritjes së kreditimit gjatë viteve të fundit, si një faktor i rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit dhe në drejtim të formalizimit të ekonomisë. Të dyja palët theksuan rëndësinë e mbikëqyrjes së kujdesshme të tregut financiar dhe të atij bankar, si një premisë e domosdoshme për të siguruar institucione financiare të qëndrueshme dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Më pas, takimi ka vazhduar në formën e një tryeze diskutimi, ku secili nga pjesëmarrësit ka parashtruar përvojën e institucionit që drejton. Pikë e veçantë e takimit ishte edhe diskutimi rreth aktivitetit të Bankës Raiffeisen në Shqipëri, si pjesë e rrjetit të investimeve të grupit financiar austriak Raiffeisen International, i cili mbikëqyret nga Autoriteti i Tregjeve Financiare në Austri.

Në përfundim, Guvernatori Fullani dhe zoti Traumueller, konfirmuan edhe një herë gatishmërinë për bashkëpunim midis dy institucioneve, në fushën e mbikëqyrjes bankare, veçanërisht në kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.