BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me drejtues të Departamentit të Mbikëqyrjes të Bankës së Greqisë

Data e publikimit: 19.01.2011

 

Në datat 17-18 janar 2011, një delegacion i nivelit të lartë të Departamentit të Mbikëqyrjes të Bankës së Greqisë zhvilloi një vizitë dyditore pranë Bankës së Shqipërisë. Kjo vizitë u realizua në kuadër të bashkëpunimit dypalësh që ekziston midis dy bankave qendrore.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, delegacioni i Bankës së Greqisë u prit nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani. Në takimin ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të tjerë të lartë të Bankës së Shqipërisë u diskutua mbi zhvillimet ekonomiko-financiare me fokus të veçantë në ecurinë e grupeve bankare që operojnë në të dy vendet.

copy of img 0374 3692 0

Gjithashtu, delegacioni grek i shoqëruar nga homologët shqiptarë zhvilloi takime të përbashkëta me drejtuesit ekzekutivë të bankave greke që operojnë në Shqipëri. Në këto takime, autoritetet mbikëqyrëse patën mundësinë të diskutojnë mbi situatën dhe zhvillimet e këtyre bankave dhe tregut në përgjithësi, si dhe të adresojnë çështje që lidhen me aktivitetin e këtyre bankave dhe strategjitë e tyre për të ardhmen.

Në përmbyllje të vizitës, Guvernatori Fullani zhvilloi një takim të përbashkët me delegacionin grek si edhe me drejtuesit ekzekutivë të bankave greke që operojnë në Shqipëri. Gjatë takimit, Guvernatori i njohu të pranishmit me konkluzionet e Bankës së Shqipërisë mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare, sistemit bankar dhe bankave greke gjatë vitit 2010. Më konkretisht, ai u shpreh se bankat greke që operojnë në Shqipëri kanë qenë dhe janë pjesë e rëndësishme e sistemit bankar shqiptar këto vitet e fundit.

Në vazhdim, z. Fullani listoi edhe disa nga drejtimet kryesore ku duhet të përqendrohet puna e këtyre bankave në vitin që sapo kemi hyrë. Duke i konsideruar ato si pjesë e integrale e sistemit bankar, ai kërkoi që bankat greke të vijojnë kreditimin e ekonomisë pa ulur kujdesin ndaj cilësisë së tij, transparencës me klientin në drejtim të kostove si dhe në drejtim të rritjes të integritetit dhe profesionalizimit të personelit të bankave.