BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me gazetarë, analistë dhe drejtues të mediave

Data e publikimit: 23.12.2010

 

Me rastin e mbylljes së vitit Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani ka zhvilluar një takim me gazetarë të njohur të shtypit të shkruar dhe asaj elektronike, analistë të politikës dhe të ekonomisë, drejtues dhe përfaqësues të tjerë të mediave në Shqipëri.

Me këtë rast, Guvernatori i përcolli të pranishmëve urimet më të ngrohta, duke vlerësuar punën e gazetarëve për kontributin e rëndësishëm që ata kanë dhënë në përcjelljen e mesazheve të Bankës së Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Guvernatori ka bërë një ekspoze të ekonomisë shqiptare, duke theksuar se 2010 ishte një vit i ngarkuar me ngjarje ekonomike, dhe media ka qenë gjithmonë prezente për të përcjellë lajmin tek publiku. Guvernatori Fullani theksoi se gjatë vitit 2010 falë punës së bërë nga Banka e Shqipërisë është bërë e mundur ruajtja dhe konsolidimi i stabilitetit makroekonomik të vendit si dhe i qëndrueshmërisë financiare të sistemit bankar.

Në këtë takim, z. Fullani prezantoi dhe kalendarin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2011. Është bërë e njohur tashmë iniciativa e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë për të promovuar trashëgiminë kulturore të vendit si brenda ashtu dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë këtë vit vëmendja është ndalur tek urat, të cilat nder shekuj kanë shërbyer për të lidhur popuj, tradita dhe kultura të ndryshme mes tyre. Prandaj, kalendari këtë vit vjen me urat, i përkthyer ne një koncept virtual që lidh Bankën e Shqipërisë me publikun.

takimi me gazetaret 2010 3652 0

Në përfundim, Guvernatori ndau edhe tre çmimet fituese të konkursit të hapur “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë” për vitin 2010.

2010 12 23 cmimi i guvernatorit 3651 0

Vendin e parë e fitoi zj. Lorena Skufi, e cila ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për temën e saj të diplomës “Zhvillimi i turizmit te qëndrueshëm ne Shqipëri. Një përqasje empirike për Shqipërinë”.

Vendin e dytë e fitoi zj. Fabiola Hysenbelliu, e cila ka përfunduar studimet e saj në Shkollën e Ekonomiksit dhe Shkencave Politike të Londrës për temën e saj “Deri në ç’ pikë axhenda e integrimit të Shqipërisë është duke ecur drejt kërkesave standarde të Bashkimit Evropianë fushën e politikës dhe qeverisjes?”.

Dhe në vend të tretë zj. Evisi Kopliku, e cila ka përfunduar studimet pasuniversitare ne Universitetin Mesdhetar Lindor të Qipros Veriore, për temën e saj të masterit “Ndikimi i krizës botërore financiare në ekonomitë e Evropës Juglindore”.

Ky konkurs i dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar gjatë këtij viti, brenda dhe jashtë vendit, për punë shkencore në çështje të lidhura me ekonomiksin monetar, stabilitetin financiar, integrimin ekonomik të Ballkanit në Evropë, veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, sistemin bankar shqiptar dhe ekonominë në përgjithësi.