BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me gazetarë, analistë dhe drejtues të mediave
Data e publikimit: 21.12.2012
Në datën 18 dhjetor 2012, me rastin e mbylljes së vitit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani zhvilloi një takim me publicistë të njohur, analistë të politikës dhe të ekonomisë, gazetarë të njohur të shtypit të shkruar dhe medias elektronike. Organizimi i këtij takimi është kthyer tashmë në një traditë për Bankën e Shqipërisë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Guvernatori Fullani iu përcolli të pranishmëve, urimet për një vit të ri të mbarë për ta dhe familjet e tyre. Ai vlerësoi punën e bërë nga media për transmetimin në kohë reale të mesazheve mbi vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë tek publiku, si dhe vlerësoi analizat e komentet e bëra në këtë drejtim. Guvernatori bëri edhe një ekspoze të ekonomisë shqiptare, duke e cilësuar vitin 2012, si një vit të ngarkuar me ngjarje ekonomike, ku vuri në dukje dhe masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare të sistemit bankar.
Viti 2012, ishte një vit i veçantë për të gjithë shqiptarët: 100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë, përveç shtypjes së serisë përkujtimore të monedhave me tematikë 100 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, organizoi disa aktivitete ku ndër to spikat ekspozita e lëvizshme me temë: 100 vjet Pavarësi: pasqyrimi i historisë në monedhën tonë kombëtare, e organizuar brenda dhe jashtë vendit, në qytetet: Berat, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, Shkodër, Tiranë, Vlorë dhe Prishtinë.
Në këtë takim, z.Fullani prezantoi dhe kalendarin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2013, i cili trajton momentet kyçe të zhvillimit historik të bankës qendrore në Shqipëri, duke filluar me vitin 1913 i cili shënon krijimin e Bankës Kombëtare të Shqypërisë e deri në ditët e sotme kur Banka e Shqipërisë gëzon atributet e një banke qendrore moderne, të pavarur, transparente dhe të përgjegjshme. Nga ana artistike, kalendari prezanton vizatime të shkëputura nga kartëmonedhat shqiptare të emetuara ndër vite si dhe dy vizatimet e ndërtesave (ndërtesa e parë në Durrës dhe projekti i rikonstruksionit), për të sjellë rrugëtimin historik të bankës qendrore.
Edhe gjatë këtij viti Banka e Shqipërisë ka vazhduar strategjinë e saj të edukimit financiar të publikut. Guvernatori u shpreh se gjatë viteve në vijim, Banka e Shqipërisë do të vijojë të jetë e angazhuar në edukimin financiar të të rinjve. Si pjesë e kësaj strategjie, Guvernatori Fullani, shpalli edhe fituesit e konkursit Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë, për vitin 2012. Komisioni i vlerësimit në Bankën e Shqipërisë, pasi shqyrtoi aplikimet e ardhura nga studentë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, në universitetet më të njohura shqiptare dhe evropiane, ka vendosur të akordojë çmimet e mëposhtme:
- Çmimi i parë i jepet z. Alqi Bllako, student në Universitetin e New Yorkut në Tiranë për temën e tij të masterit Roli i tatimit mbi të ardhurat të kompanive mbi strukturën e kapitalit: të dhëna mbi ekonominë shqiptare.
- Çmimi i dytë i jepet zj. Dirina Mançellari, studente në Universitetin Amerikan të Bullgarisë për temën e saj të diplomës Një kuadër për vlerësimin e qëndrueshmërisë së financave publike në Shqipëri.
- Çmimi i tretë i jepet z. Jurgen Kopliku, student në Universitetin Bocconi në Itali për temën e tij të masterit A u prek struktura e kompanive evropiane nga kriza financiare 2007-2008?.