BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani me z. Alan Greenspan, Kryetar i Bordit të Guvernatorëve të FED

Data e publikimit: 27.09.2005

 

Ditën e hënë, datë 26 shtator 2005, në vazhdim të qëndrimit të tij në Washington DC, me rastin e mbledhjes vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani, zhvilloi një takim në selinë qendrore të Bordit të Guvernatorëve, me Kryetarin e Bordit të Guvernatorëve të Rezervës Federale, zotin Alan Greenspan.

foto greenspan fullani 960 0

Në foto: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me
Kryetarin e Bordit të Guvernatorëve të Rezervës Federale, z. Alan Greenspan.

Pas falenderimeve të rastit, zoti Ardian Fullani, bëri një ekspoze të shkurtër të zhvillimeve të fundit ekonomike në Shqipëri, ndërkohë që duke përfituar nga rasti shprehu mirënjohjen për ndihmën që Rezerva Federale ka dhënë kohët e fundit, veçanërisht në drejtim të perfeksionimit të mëtejshëm të mbikëqyrjes bankare.

Gjatë bisedës u arrit në përfundimin se ekzistojnë mundësi të mëtejshme për të ofruar asistencë në këtë drejtim dhe në këtë kuadër, zoti Fullani ftoi Drejtorin e Departamentit të Mbikëqyrjes, z. Richard Spillenkothen dhe Zëvendësdrejtorin, z. Jack Jennings, të marrin pjesë në Konferencën VI të Bankës së Shqipërisë, që do t'i kushtohet çështjeve të stabilitetit financiar.