BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko me Ambasadorin e Finlandës në Shqipëri (rezident në Athinë), SH.T.Z. Pauli Mäkelä

Data e publikimit: 21.07.2016

 

Në datë 21 korrik 2016, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko zhvilloi një takim zyrtar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me Ambasadorin e Finlandës në Shqipëri (rezident në Athinë), SH.T.Z. Pauli Mäkelä.

Në ekspozenë e tij, Guvernatori Sejko u ndal në zhvillimet financiare në vend, ku nënvizoi se sistemi bankar shqiptar është i mirëkapitalizuar, likuid dhe financiarisht i shëndetshëm. Guvernatori Sejko u shpreh se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë i angazhuar në përmbushjen e misionit të tij, për qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin financiar të vendit. Duke përfituar nga rasti, Guvernatori konfirmoi dhe njëherë angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të mbështetur rritjen ekonomike të vendit nëpërmjet politikës monetare stimuluese.

 dsc2939 498 8637 0

Një çështje me rëndësi të veçantë, e diskutuar gjatë takimit ishte dhe ngjallja e interesit për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe vlerësimi i mundësive për nxitjen e investimeve të huaja direkte në vendin tonë. Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Ambasadori i Finlandës në Shqipëri (rezident në Athinë), SH.T.Z. Pauli Mäkelä, vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë, në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend. Diskutimet dypalëshe u ndalën gjithashtu edhe në kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë po jep në procesin e integrimit evropian të vendit, nëpërmjet përafrimit të kuadrit rregullator dhe praktikave të punës, me direktivat e Bashkimit Evropian.

Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe kryesisht, në fushën e sistemit financiar.