BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko me Ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, SH.T.Z. Boaz Rodkin

Data e publikimit: 28.10.2016

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko zhvilloi sot më 28 tetor 2016, një takim me Ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, SH.T.Z. Boaz Rodkin. Diskutimet dypalëshe u ndalën fillimisht në marrëdhëniet mjaft të mira që ekzistojnë midis dy vendeve.

Guvernatori Sejko në ekspozenë e tij, prezantoi zhvillimet financiare në vend, ku nënvizoi se sistemi bankar shqiptar është i kapitalizuar, likuid dhe financiarisht i shëndetshëm. Ai u shpreh se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë i angazhuar në përmbushjen e misionit të tij, për qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin financiar të vendit.

498 dsc7392 copy 8895 0

Duke u ndalur tek ecuria ekonomike e vendit, Guvernatori Sejko, theksoi se zhvillimet e fundit tregojnë se ambienti i jashtëm makroekonomik mbetet sfidues, por autoriteti monetar do të japë të gjithë kontributin e duhur për të mbështetur përpjekjet për një rritje ekonomike të qëndrueshme. Banka e Shqipërisë ka ndjekur dhe do të vazhdojë të ndjekë edhe në periudhën në vijim një politikë monetare lehtësuese, në kushtet kur politika fiskale po ndjek një trajektore konsoliduese.

Gjatë takimit, u diskutua dhe mbi reformat strukturore të ndërmarra së fundmi nga qeveria në drejtim të formalizimit të ekonomisë.

Ambasadori i Izraelit vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë, në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar dhe stabilitetit makroekonomik të vendit dhe e cilësoi Shqipërinë një vend të sigurt për investitorët izraelitë.

Më tej, Ambasadori SH.T.Z. Boaz Rodkin prezantoi panoramën ekonomike dhe modelet e zhvillimit të Izraelit.

Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua perspektivave potenciale në kuadër të bashkëpunimit ekonomik, kryesisht në fushën e sistemit financiar midis dy vendeve.

Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për krijimin e kushteve sa më të mira për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.