BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, me Ambasadorin e Republikës së Austrisë në Shqipëri, Dr. Johann Sattler

Data e publikimit: 17.10.2016

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko zhvilloi një takim zyrtar me Ambasadorin e Republikës së Austrisë në Shqipëri, Dr. Johann Sattler, në ambientet e Bankës së Shqipërisë.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu falenderimet Ambasadorit të Republikës së Austrisë në Shqipëri, Dr. Johann Sattler, për marrëdhëniet e shkëlqyera, si dhe vlerësoi lidhjet historike e miqësinë tradicionale midis dy vendeve, duke theksuar rëndësinë dhe impaktin pozitiv të mbështetjes së Austrisë në zhvillimet e kahershme të vendit tonë.

 dsc5375 amb aust 8810 0

Më tej, Guvernatori Sejko e njohu Ambasadorin e Republikës së Austrisë në Shqipëri, Dr. Johann Sattler me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori Sejko, theksoi se sot ky sistem shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë. Në këtë drejtim, prioritetet e punës së Bankës së Shqipërisë janë orientuar më së shumti drejt identifikimit të masave për nxitjen e kreditimit, reduktimit të kredive me probleme dhe forcimit të stabilitetit financiar. Më tej, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë i angazhuar në përmbushjen e misionit të tij, për qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin financiar të vendit.

Një çështje me rëndësi të veçantë, e diskutuar gjatë takimit, ishte dhe ngjallja e interesit për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe vlerësimi i mundësive për nxitjen e investimeve të huaja direkte në vendin tonë. Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e klimës së biznesit dhe thithjen e sa më shumë investimeve të huaja në Shqipëri.

Ambasadori i Republikës së Austrisë në Shqipëri, Dr. Johann Sattler vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë, në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend. Gjithashtu, Ambasadori theksoi se institucionet shqiptare duhet të jenë më vokale në promovimin e Shqipërisë, e cila ka njohur ndryshime të dukshme ndër vite.

Diskutimet dypalëshe u ndalën gjithashtu edhe në kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë po jep në procesin e integrimit evropian të vendit, nëpërmjet përafrimit të kuadrit rregullator dhe praktikave të punës, me direktivat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i shprehu mirënjohjen e tij Ambasadorit Sattler për bashkëpunimin e frytshëm dhe asistencën teknike të dhënë në fusha të ndryshme të bankingut qendror nga Banka Kombëtare e Austrisë.

Në përfundim të këtij takimi, të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtën mendim për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.