BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko me Ambasadorin e Republikës së Greqisë në Tiranë, SH.T.Z. Leonidas Rokanas

Data e publikimit: 03.07.2015

 

Në datën 2 korrik 2015, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim zyrtar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me Ambasadorin e Republikës së Greqisë në Tiranë, SH.T.Z. Leonidas Rokanas.

Biseda u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe në fushën ekonomike, në ecurinë e sistemit bankar shqiptar, si dhe në zhvillimet më të fundit në Greqi.

x dsc9570 copy 7512 0


Guvernatori Sejko theksoi se Greqia përbën një partner tregtar të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shprehu besimin e tij se populli grek do të gjejë forcat për të kapërcyer këtë moment të vështirë.

Më tej, Guvernatori Sejko, e njohu Ambasadorin e Republikës së Greqisë në Tiranë, me rolin e rëndësishëm që luajnë bankat shqiptare me kapital grek në sistemin financiar shqiptar. Këto banka, për më shumë se dy dekada, kanë qenë aktorë të rëndësishëm në mobilizimin e kursimeve të popullatës dhe kanalizimin e tyre në financimin e ekonomisë. Aktualisht, ato gëzojnë gjendje të shëndoshë financiare, likuiditeti dhe kapitalizimi. Banka e Shqipërisë  shpreson që në të ardhmen e afërt bankat shqiptare me kapital grek do të kthehen përsëri në parametrat historikë në lidhje me kreditimin e ekonomisë. Guvernatori Sejko, siguroi Ambasadorin Rokanas se  Banka e Shqipërisë  do të ofrojë mbështetje të plotë për sistemin bankar shqiptar, përfshirë dhe bankat me kapital grek.

Të pranishmit diskutuan dhe mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe kryesisht, në fushën e sistemit financiar.

Ambasadori Rokanas vlerësoi rolin e rëndësishëm të bankave shqiptare me kapital grek, duke nënvizuar se Greqia ka qenë vazhdimisht për vite investitori i parë i huaj në Shqipëri, si dhe një faktor nxitës i ekonomisë së vendit. Greqia ka qenë një mbështetëse e fortë e përpjekjeve të Shqipërisë për të krijuar një mjedis të shëndetshëm biznesi, për të tërhequr investime të huaja të mëtejshme, për të forcuar rritjen ekonomike të vendit, e për rrjedhim, për të siguruar prosperitet më të madh në Shqipëri. Në këtë kuadër, Ambasadori  Rokanas,  përgëzoi punën e bërë dhe mbështetjen e Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend.

Në përfundim të takimit në lidhje me situatën në Greqi, bashkëbiseduesit ndanë pikëpamjen se gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë, është në interesin e përbashkët të dy vendeve, për vetë rëndësinë e madhe ekonomike dhe financiare që mbart situata.