BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko me Kryetaren e Bordit të Përbashkët të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, Zj. Elke König

Data e publikimit: 03.11.2015

 

Sot, në datë 3 nëntor 2015, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, Kryetarja e Bordit të Përbashkët të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (Single Resolution Board -SRB), zj. Elke König.

.dsc6138.

Në takimin e zhvilluar në Bankën e Shqipërisë merrnin pjesë Guvernatori, z Gent Sejko, Zëvendësguvernatoret,  zj. Elisabeta Gjoni dhe zj. Natasha Ahmetaj si dhe zj. Denada Prifti, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe njëherësh eksperte pranë Bordit të Përbashkët të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

Ky takim u zhvillua në kuadër të procesit të nisur nga Banka e Shqipërisë për rishikimin e kuadrit ligjor ekzistues, që synon përmirësimin dhe përafrimin e tij me standardet e Direktivës 2014/59 të Bashkimit Evropian, për vendimmarrjen mbi rimëkëmbjen e bankave në vështirësi.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të zhvillimeve ekonomiko-financiare në vend dhe rolit të Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit.  Duke u ndalur te zhvillimet në sektorin bankar, Guvernatori theksoi se ky sektor është i mirëkapitalizuar dhe likuid, me parametra të shëndoshë financiarë.

Në veçanti, Guvernatori u ndal mbi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë për përmirësimin e kuadrit ligjor lidhur me sistemin bankar. Nisur nga vlerësimet e kryera nga vetë Banka e Shqipërisë, por duke marrë parasysh dhe rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë, është gjykuar e nevojshme të kryhen përmirësime në kuadrin ligjor ekzistues me qëllim që t'u mundësojë autoriteteve në të ardhmen instrumentet e nevojshme ligjore për menaxhimin e situatave të vështira në sektorin financiar.

Zj. König shprehu pikëpamjet e saj mbi arritjet në vitin e parë të punës të Bordit të Përbashkët të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe mbi pritshmëritë e tij për të ardhmen, para se ai të marrë kompetenca të plota më 1 janar 2016 në lidhje me trajtimin e bankave në situata të jashtëzakonshme. Ky institucion, është shtylla e dytë e Unionit Bankar Evropian në vijim të mekanizmit të vetë mbikëqyrës (shtylla e parë).

Në vizitën e saj në Bankën e Shqipërisë, zj. Konig zhvilloi një takim dhe me përfaqësues të departamenteve kryesore të Bankës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Ajo ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e Bashkimit Evropian për krijimin e Bordit të Vetëm të Zgjidhjes.

Gjatë qëndrimit të saj në Tiranë, zj. König zhvilloi takime dhe me Ministrin e Financave, z. Shkëlqim Cani dhe Ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, zj. Romana Vlahutin. Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi reformat kryesore të Shqipërisë për përafrimin me standardet evropiane dhe rolin e kuadrit rimëkëmbës në ruajtjen e stabilitetit financiar.

Dr.Elke König është Kryetare e Bordit të Përbashkët të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (SRB). Më parë ajo ka qenë Presidente e Autoritetit Federal të Mbikëqyrjes Financiare në Gjermani (Bundesanstalt für Finanzdienstleistungsaufsicht  BaFin).