BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko me Presidentin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Sir Suma Chakrabarti

Data e publikimit: 27.07.2016

 

Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sir Suma Chakrabarti vizitoi Shqipërinë në datën 26 korrik 2016. Gjatë vizitës, Sir Suma Chakrabarti zhvilloi një sërë takimesh të nivelit të lartë me autoritetet kryesore të vendit.

Takimi me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko,u zhvillua në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Në takim përveç Sir Suma Chakrabarti morën pjesë dhe përfaqësuesit më të lartë të BERZH-it.

._dsc3268 (2).

_dsc3262

Fillimisht, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit me BERZH-in, të cilat kanë shërbyer si udhërrëfyes koherent për hartimin e agjendës së zhvillimit të vendit.

Më tej, Guvernatori e njohu Presidentin e BERZH-it me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Në veçanti, Guvernatori u ndal në trajtimin e sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri

._dsc3268 (f).

._dsc3298.

Guvernatori theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme.

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori theksoi se sot sistemi shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë. Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i çështjes së kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e shoqëruar me një plan veprimi të mirëmenduar për reduktimin e tyre, ku përfshihen një sërë përmirësimesh ligjore, fiskale dhe rregullatore. Zbatimi i këtij plani ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në 18.2 %, në fund të vitit 2015.

Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë bisedimeve ishte dhe nxitja e kreditimit dhe masat e marra mbështetur nga politika monetare stimuluese, e cila ka dhënë efektet e saj duke ndikuar në uljen e çmimit të kredisë, në të gjitha segmentet e tregut financiar në vend.

Nga ana e tij, Presidenti i BERZH-it vlerësoi Bankën e Shqipërisë për politikat e ndërmarra prej saj, të cilat kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe konsolidimin e vazhdueshëm të sistemit financiar në Shqipëri. Më tej, ai u shpreh se BERZH-i do të vazhdojë të japë kontributin e saj në Shqipëri lidhur me projekte të rëndësisë së veçantë, në fusha të tilla si: agrobiznesi, infrastruktura, energjia etj me qëllim zhvillimin e sektorit publik edhe atij privat. Në përfundim, ai shprehu angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë mbi përforcimin e sektorit financiar nëpërmjet mbështetjes së sistemit bankar përmes linjave të kreditimit dhe lehtësirave të tjera.

Në përfundim, Guvernatori Sejko falënderoi dhe njëherë BERZH-in për kontributin e rëndësishëm dhe mbështetjen konkrete me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë dhe e ftoi të vazhdojë të vlerësojë potencialet që ofron Shqipëria.