BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, me gazetarë, analistë dhe drejtues të medias

Data e publikimit: 15.12.2017

 

Në datën 15 dhjetor 2017, me rastin e mbylljes së vitit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me gazetarë të medias së shkruar dhe asaj elektronike, analistë të ekonomisë, drejtues dhe përfaqësues të tjerë të medias në Shqipëri.

Takimi u çel me fjalën e mbajtur nga Guvernatori Sejko, i cili falënderoi përfaqësuesit e medias për mbështetjen që i kanë dhënë Bankës së Shqipërisë përgjatë gjithë vitit 2017, nëpërmjet reflektimit mediatik mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend.

Sejko

Guvernatori Sejko garantoi se në çdo rast dyert e Bankës së Shqipërisë do të jenë të hapura për t’u konsultuar dhe për të shkëmbyer pikëpamje reciproke rreth argumenteve të momentit, me qëllimin e vetëm për të rritur shkallën e sqarimit dhe të kuptimit të fenomeneve.

Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori Sejko shprehu besimin në rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit gjatë vitit 2018, si dhe përcolli urimet më të mira e të përzemërta për një vit të ri sa më të suksesshëm.

Gjatë këtij aktiviteti, u ndanë dhe tre çmimet e konkursit të hapur "Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2017". Ky konkurs organizohet çdo vit nga Banka e Shqipërisë dhe i dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar gjatë periudhës, brenda dhe jashtë vendit, për punë kërkimore-shkencore në çështje të lidhura me ekonomiksin monetar e ndërkombëtar, stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, integrimin ekonomik etj.

sejko fjalim

Me çmimin e parë u vlerësua zj. Vasilika Lushka, studente në Universitetin e Tiranës, për temën e masterit shkencor "Analiza e strukturës së tregut të sigurimeve në Shqipëri. Rregullimi dhe matja e konkurrencës në këtë treg", çmim i cili u dorëzua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.

Ky studim sjell një kontribut në fushën e financës, veçanërisht në aspektin e mbikëqyrjes financiare, duke paraqitur një analizë të detajuar të përqendrimit në sektorin e tregut të sigurimeve, si për sigurimet e jetës ashtu edhe ato të jojetës, mbi bazën e një sërë indeksesh dhe treguesish të ndryshëm mbështetur në literaturën bashkëkohore. Gjithashtu, kjo përbën një temë mjaft bashkëkohore dhe e drejton fokusin në një segment të rëndësishëm të tregut financiar që lidhet me mirëfunksionimin e tregut të kapitaleve. Metodologjitë e vlerësimit dhe konkluzionet e materialit mund të gjejnë zbatim në fushën e mbikëqyrjes financiare, veçanërisht në tregun e sigurimeve, i cili luan një rol shumë të rëndësishëm në ekonomitë në zhvillim si vendi ynë.

cmim

Me çmimin e dytë u vlerësua zj. Joana Gjinopulli, studente në Universitetin e Tiranës, për temën e saj të masterit mbi "Vlerësimin e efekteve makroekonomike nga ndryshimet klimatike mbështetur në modelet Error Correction Mechanism dhe 2 Stage Least Square: Rasti i Shqipërisë", i cili iu dorëzua nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni.

Kjo temë merr në shqyrtim një ndër sfidat më të mëdha globale, atë të ndryshimeve klimatike. Materiali sjell në vëmendje koston mjedisore të rritjes së shpejtë ekonomike - një fenomen që po analizohet gjerësisht për shkak të efekteve që ndryshimet klimatike do të kenë në ekonominë globale në dekadat në vazhdim. Materiali analizon në mënyrë empirike ekzistencën e një ekuilibri afatgjatë mes rritjes ekonomike dhe ndryshimeve klimatike për rastin e Shqipërisë.

Me çmimin e tretë u vlerësua zj. Denisa Dervishi, studente në Universitetin Epoka, për temën e saj të diplomës mbi "Teorinë e kërkesës për para dhe aplikimi për Shqipërinë nën regjimin e inflacionit të shënjestruar", i cili iu dorëzua nga Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, z. Tonin Kola.

foto 18