BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, me gazetarë, analistë dhe drejtues të medias

Data e publikimit: 23.12.2016

 

Në datën 23 dhjetor 2016, me rastin e mbylljes së vitit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me gazetarë të medias së shkruar dhe asaj elektronike, analistë të ekonomisë, drejtues dhe përfaqësues të tjerë të medias në Shqipëri.

Takimi u çel me fjalën e mbajtur nga Guvernatori Sejko, i cili falënderoi përfaqësuesit e medias për kohën, vëmendjen dhe rëndësinë që i kanë kushtuar të gjitha komunikimeve për shtyp të institucionit, duke shpërndarë në publik mesazhet dhe konkluzionet e Bankës së Shqipërisë.

 dsc4297 498 9013 0

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, shtoi se roli i mediave është konsideruar i një rëndësie të veçantë për Bankën e Shqipërisë, në përcjelljen e informacionit si për agjentët ekonomikë ashtu dhe për publikun e gjerë, në kohë dhe me cilësi.

Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori Sejko shprehu besimin në rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit gjatë vitit 2017, si dhe iu përcolli urimet më të mira e të përzemërta për një vit të ri sa më të suksesshëm.

Gjatë këtij aktiviteti u ndanë dhe tre çmimet e konkursit të hapur “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2016”. Ky konkurs organizohet çdo vit nga Banka e Shqipërisë dhe i dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar gjatë vitit, brenda dhe jashtë vendit, për punë kërkimore-shkencore në çështje të lidhura me ekonomiksin monetar e ndërkombëtar, stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, integrimin ekonomik etj.

 dsc4459 498 9011 0

1. Me çmimin e parë u vlerësua zj. Danjela Guxha studente në Universitetin e Freiburg-ut, në Gjermani për temën e masterit “Optimizimi i portofolit përmes vlerësimit të humbjeve të pritshme në kontekstin e metodës të përgjithshme hiperbolike shumë dimensionale”, i cili iu dorëzua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.

Ky studim sjell një kontribut në fushën e financës duke propozuar, aplikuar dhe vlerësuar një model të ri, alternativ për modelimin e faktorëve të riskut të një portofoli investimi. Materiali diskuton optimizimin e portofoleve të investimeve bazuar në metodën e përgjithshme hiperbolike të kthimit të aktiveve financiare në Gjermani. Konkretisht, studimi propozon shpërndarjen e përgjithshme hiperbolike si një përafrues më të mire të faktorëve të rrezikut sesa shpërndarja normale, duke e testuar këtë hipotezë në kushtet e tregut financiar në Gjermani. Ky studim përbën një temë bashkëkohore dhe interesante që lidhet me financën dhe që gjen zbatim në fushën e administrimit të rezervës valutore, mbikëqyrjes bankare e stabilitetit financiar.

 dsc4466 498 9012 0

2. Me çmimin e dytë u vlerësua zj. Pamela Qendrai studente në Universitetin e Bonn-it, në Gjermani për temën e masterit “Tranzicioni nga bankat e shkollës në tregun e punës dhe papunësia e të rinjve në Evropë”, i cili iu dorëzua nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni.

Materiali trajton një temë mjaft interesante në lidhje me tregun e punës dhe papunësinë e të rinjve në Evropë dhe kryesisht në vendet e Evropës Jugore dhe Lindore, të cilat u prekën nga norma më të larta papunësie mbas krizës së fundit financiare globale. Tema fokusohet kryesisht në tregun e punës të sapodiplomuarve. Disa nga rezultatet e materialit tregojnë se kriza financiare ka ndikuar më së shumti papunësisë e të rinjve në vendet e Evropës Juglindore, ku niveli i duhur i edukimit dhe eksperienca e punës janë faktorët që ndikojnë një periudhë më të shkurtër të të qëndruarit pa punë mbas përfundimit të studimeve.

3. Me çmimin e tretë u vlerësua zj. Anisa Plepi nga Universiteti i Tiranës për temën e masterit “Roli i politikës monetare në influencimin e vendimeve të agjentëve ekonomikë: Një vlerësim për rastin e Shqipërisë bazuar në teorinë e strukturës së termit të normave të interesit”, i cili iu dorëzua nga Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj.

Materiali është fokusuar në rolin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë në vendimmarrjen ekonomiko-financiare të agjentëve ekonomikë. Një temë që padyshim ka interesin dhe vëmendjen tonë maksimale jo vetëm për atë që kemi bërë, por duke na bërë të kuptojmë edhe perceptimin e studentëve të ekonomikut për ngritjen e hipotezave mbi politikat dhe sfidat që ne kemi dhe që na presin në të ardhmen. Më konkretisht, rezultatet tregojnë për rolin e politikës monetare në afatin e shkurtër dhe të mesëm, evidentimin e elementit pasiguri që ndikon në vendimin e agjentëve ekonomikë, si dhe duke theksuar rolin e rëndësishëm që kanë pritjet e agjentëve ekonomikë në transmetimin e efekteve të politikës monetare.