BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 19.07.2004

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, u takua sot paradite me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar që po viziton Shqipërinë, të kryesuar nga z. Julio Escolano, shefi i Misionit dhe i shoqëruar nga z.Jan-Peter Olters, përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Tiranë.

Temat kryesore të takimit ishin: zhvillimet monetare dhe inflacioni, zhvillimet në kursin e këmbimit, rritja e kreditimit dhe ndryshimet e kuadrit rregullativ të mbikëqyrjes bankare dhe axhenda e Misionit të ardhshëm të muajin nëntor 2004.

Në fjalën e tij, Guvernatori u shpreh se nga të dhënat e muajve të fundit dhe zhvillimet e pritshme në Indeksin e Çmimeve të Konsumit rezulton se inflacioni në fund të vitit 2004 mendohet se do të jetë brenda intervalit objektiv 2-4 për qind.

Sa i përket mbiçmimit të lekut ndaj valutave kryesore, z.Cani u shpreh se stabiliteti i qëndrueshëm makroekonomik gjatë viteve të fundit ka rritur besimin e publikut te monedha vendase. Ndërsa, veç nënçmimit në tregun ndërkombëtar të dollarit, Guvernatori përmendi edhe arsyet kryesore kryesisht sezonale të tregut vendas, si rritja e prodhimit kryesisht bujqësor, intensiteti i të ardhurave në valutë nga turizmi dhe emigrantët, diferencat në normat e interesit mes lekut dhe valutave kryesore, rritja e interesit të individëve për të investuar në depozitat në lekë, bonot e thesarit etj..

Misioni i FMN-së do të vazhdojë takimet me ekspertët e Bankës së Shqipërisë mbi çështjet e programit monetar, bilancit të pagesave, inflacionin dhe zhvillimet në sektorin real, mbikëqyrja bankare etj. Në fund të Misionit do të zhvillohet një konferencë e përbashkët shtypi e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, shefit të Misionit të FMN-së dhe Ministrit të Financave.